24-11-2024

Malishevë: Raportohet se nuk janë paraqitur raste të reja me COVID-19

Drejtues të Komunës së Malishevës të mërkurën kanë bërë të ditur se me përjashtim të katër rasteve të mëhershme, deri më tani nuk janë paraqitur raste të reja me COVID-19.

Komuna e Malishevës të mërkurën përmes një komunikate ka njoftuar se kryetari i Komunës ka mbajtur një takim informues me shtabin komunal për menaxhimin e situatës me COVID-19, me përfaqësuesit e Kuvendit të Komunës, policisë, shëndetësisë, hidroregjionit, ekoregjionit, zjarrfikësve, KEDS-KESCO dhe postës.

“Në këtë takim, kryetari Begaj, i ka informuar të gjitha këto organe përgjegjëse, me situatën, e cila konsiderohet nën kontroll, pasi përjashtuar katër rastet e mëhershme, deri më tani nuk janë paraqitur raste të reja, ndërsa masat për parandalimin e COVID-19, sipas udhëzimeve nga qeveria dhe IKSHP, por zbatohen në tërësi, e po ashtu edhe qytetarët janë duke zbatuar urdhëresën për kufizime të lëvizjeve pa nevojë”, thuhet në komunikatë.

Bazuar edhe në raportimet e organeve përgjegjëse, në takim është bërë e ditur se policia është duke e mbajtur në karantinë territorin e komunës, sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndalimin e hyrje daljeve në Malishevë, derisa edhe masat tjera janë duke u zbatuar në tërësi.

“Sa i përket furnizimeve, të gjitha marketet janë duke punuar sipas udhëzimeve dhe janë të furnizuara mirë, përderisa ndihet një mungesë e miellit, por mullinjtë kanë deklaruar se do të vazhdojnë të furnizohen me grurë e miell brenda mundësive që kanë për shkak të situatës, por nuk ka vend për shqetësim. Po ashtu edhe barnatoret janë të furnizuara me barna, e edhe në këtë fushë të furnizimeve nuk ka vend për shqetësim”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Përfaqësuesit e organeve të ndryshme kanë bërë thirrje që qytetarët ti zbatojnë udhëzimet e dhëna për të qëndruar në shtëpi dhe t’iu ikin tubimeve në grupe.

Asnjë koment

Comments are closed.