25-11-2024

Malishevë: Shkon në procedurë të ndërmjetësimit lënda ndaj të akuzuarit për shpërndarjen e fotografive të ish së dashurës në rrjete sociale

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, të mërkurën, e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarit për fotografim dhe incizime tjera të paautorizuara, B.H.

Një gjë e tillë ka ndodhur pasi që i akuzuari, në seancën e shqyrtimit gjyqësor, ka propozuar që kjo lëndë të zgjidhet në procedurë alternative, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari B.H. ka deklaruar se të dëmtuarës L.M. i kërkon falje publike dhe se më nuk do ta shqetësojë në të ardhmen.

Me propozimin e të akuzuarit është pajtuar edhe mbrojtësi i tij, avokat Asman Hoxha, prokurorja Mone Syla dhe e dëmtuara L.M.

Pas marrjes së mendimit të palëve, gjykatësi Njazi Morina e ka referuar lëndën në procedurë të ndërmjetësimit, me ç’ rast e ka obliguar Organin e Ndërmjetësimit në Gjakovë që ta njoftojë gjykatën për epilogun e kësaj çështje.

Ndryshe, me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 23 gusht 2018, B.H. akuzohet se nga koha e pa caktuar e deri më 1 dhjetor 2016,  pasi që më parë më të dëmtuarën L.M ishte në lidhje dashurie, e kur e dëmtuara ndërpret lidhjen dhe kundërshton ta vazhdoj, i akuzuari nga vendi i pa përcaktuar përmes rrjeteve sociale “Facebook”, “Instagram”, “Viber” dhe “Whats App”, pa autorizim publikon fotot e të dëmtuarës si dhe publikon shkrime me përmbajtje si “unë jam L.M, k ⃰  ⃰  ⃰  ⃰  e A ⃰  ⃰  ⃰  ⃰  ⃰  ⃰  ⃰  ⃰  ⃰  që dal me çdo djalë e burrë”, “L.M, k ⃰  ⃰  ⃰  ⃰  e M ⃰  ⃰  ⃰  ⃰  ⃰  ⃰  ⃰  ⃰  ⃰  ”.

Me këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, nga neni 205, paragrafi 2, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.