03-12-2024

Mamushë: Vrasje në tentativë në pikëkarburant, plagoset me armë një 23-vjeçar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sonte në pompën e derivateve “Po Petrol” në Mamushë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka mbetur i plagosur një person, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal në Prizren kanë bërë me dije se një 23-vjeçar është dërguar atje me plagë që dyshohet t’i jenë shkaktuar nga arma e zjarrit.

Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e viktimës është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Po ashtu në spital kanë përfunduar edhe disa persona të tjerë, familjarë të viktimës të cilët e pësuan nga sulmi.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, gjithçka ka ndodhur pasi rreth 10 persona nga fshati Tërrnje i Suharekës kanë shkuar në kafenenë e pompës së derivateve, ku po qëndronin viktima me familjarët e tij.

Bazuar në dëshminë e viktimës dhënë organeve të hetuesisë, të dyshuarit i kanë sulmuar ata fizikisht duke i goditur me mjete të forta, e më pas njëri nga ta ka shtënë disa herë me armë në drejtim të familjarëve të tij, ku si pasojë një nga plumbat goditi 23-vjeçarin.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

Po ashtu po vazhdojnë kërkimet për personat e dyshuar, pasi të njëjtit ende nuk janë arrestuar.

Asnjë koment

Comments are closed.