Maqedonia e Veriut miraton trasenë e rrugës Tetovë-Prizren
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar trasenë nëpër të cilën do të duhet të kalojë rruga që do të lidhë Tetovën me Prizrenin. Gjatësia e rrugës, sipas studimit të fizibilitetit, duhet të jetë rreth 40 kilometra dhe do të lidhet me një tunel në gjatësi prej 6.4 kilometrash.
“Është zgjedhur traseja në të cilën duhet të ndërtohet rruga Tetovë-Prizren,e cila trase është miratuar nga dy qeveritë tona”, tha Ejup Rustemi, drejtor i Ndërrmarjes Publike “Rrugët e Maqedonisë së Veriut”. “Ne kemi ndarë mjetet për fillimin e projektimit të kësaj rruge”.
Ai deklaroi se pas caktimit të trasesë, tani duhet që Maqedonia e Veriut dhe Kosova, të nënshkruajnë marrëveshje për zgjedhjen e projektuesit dhe bashkëfinancimin e hartimit të projektit për ndërtimin e rrugës Tetovë -Prizren.
Realizimi i këtij projekti pritet të krijojë lidhje më të sigurta e të qëndrueshme të transportit për njerëz dhe biznese, në veçanti për lidhjen e parqeve nacionale, qendrave turistike dhe korridoreve rrugore, në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut./RTK