01-07-2025

Marta Kos: Roaming falas për Ballkanin Perëndimor mund të realizohet në vitin 2026

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se heqja e tarifave të roamingut për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mund të realizohet deri në janar të vitit 2026, nëse shtetet e rajonit angazhohen për miratimin e reformave të nevojshme ligjore.

Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, Kos theksoi se një angazhim i fortë nga liderët e rajonit do të ishte kyç për realizimin e këtij objektivi. “Nëse vërtet punojmë fort, dhe e kuptoj që ju liderët jeni të gatshëm që ta bëni këtë, që nënkupton shumë reforma. Ndryshimin e procesit të legjislativ. Ndryshimin e legjislacionit,” u shpreh Kos.

Ajo shtoi se mundësia e roamingut falas do të hapte mundësi të mëdha për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për ata të Bashkimit Evropian.


“Ne mund të kemi roaming falas për vendet e Ballkanit Perëndimor prej 1 janarit 2026. E kam kuptuar se të dy jemi garues. Z.kryeministër jam i sigurt që Maqedonia e Veriut do të përmbush,” deklaroi Komisionarja Kos.

Ky propozim, nëse realizohet, do të lehtësonte komunikimin dhe bashkëpunimin në rajon, duke mundësuar qytetarëve të komunikojnë pa tarifat shtesë për roaming, siç ndodh aktualisht mes vendeve të BE-së.

 

Asnjë koment

Comments are closed.