26-11-2024

Mazreku: Kompanitë e sigurimeve për 6 muaj paguan 35 milionë € kompensim të dëmeve, janë lëshuar 350 mijë polisa

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), Sami Mazreku, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se kompanitë e sigurimeve në gjashtë mujorin e parë të këtij viti kanë pagur kompensim të dëmeve rreth 35 milionë euro, apo 8 milionë euro më shumë dëme të paguara se sa gjashtë mujorin e parë të viti të kaluar.

Sipas Mazrekut të hyrat nga janari i këtij viti janë 7 milionë euro me TVSh, por sipas tij, në vend ende ka fluks nëpër pikat kufitare.

Mazreku tha se nga një janari i këtij viti e deri më tani janë rreth 350 mijë polisa të lëshuar për automjete dhe kategori të tjera të mjeteve motorike që vijën nga Evropa.

“Nëse flasim për numrin e të hyrave mund të flasim përafërsisht për shkak se duhet me përfshirë edhe muajin korrik dhe gusht, qe nga 1 janari rreth 350 mijë polisa janë lëshuar për automjete dhe kategori të tjera që vijën nga Evropa, pra nuk janë vetëm për vetura për pasagjer, por edhe kategori tjetër që janë kamionët, autobus edhe lloje të tjera të përdorimit. Nëse flasim për të hyra është rreth 7 milionë euro me TVSh, mirëpo e shohim tani që ende ka fluks nëpër pika kufitare pavarësisht që një pjesë e tyre kanë kryer pushimet, ka ende një pjesë e bashkatdhetarëve që edhe në këtë kohë janë duke ardhur në Kosovë”, tha ai.

Drejtori i BSK-së tha se në gjashtë mujorin e parë të viti 2023, kompanitë e sigurimeve kanë paguar dëme rreth 30 për qind më shumë se vitin e kaluar.

“Nëse flasim në pagesë të dëmeve duhet me përfshirë komplet sektorin e sigurimeve edhe BKS-në sipas raporteve të gjashtë mujorit viti i kaluar e sivjet ka rreth 8 milionë euro më shumë dëme të paguara apo rreth 30 për qind më shumë se sa viti i kaluar. Në miliona është rreth 35 milionë euro që janë paguar për këtë gjashtëmujor sa i përket kompensimit të dëmeve”, tha ai.

Mazreku theksoi se për ta është shqetësuese numri i lartë i aksidenteve ku lëndimet janë të lehta, sipas tij, kjo është një dukuri në rritje që ata po detyrohen që të paguajnë edhe rastet ku ato mund të jenë të inskenuara.

“Ka aksidente e keni parë edhe vetë, shqetësuese për neve vazhdon të jete numri i lartë i aksidenteve ku lëndimet janë të lehta. E keni parë një dukuri e cila është në rritje kur fare pak janë dëmet e vogla materiale, ndërsa të lënduar ka shumë, do të thotë ky është shqetësues për neve dhe jemi duke e parë edhe ne përmes sistemeve tona se si ta parandalojmë këtë dukuri. Nuk është ideja mos mi kompensuar ata që lëndohen, mirëpo jo rastet të cilat mund të jenë edhe të inskenuara”, tha ai për EO.

Asnjë koment

Comments are closed.