23-01-2025

Mbahet seancë gjyqësore për rastin Cobra, jep dëshminë babai i viktimës

Në seancë gjyqësore në rastin Cobra, ku biznesmeni Dibran Hoxhaj i njohur si “Cobra” akuzohet për vrasjen e Visar Cengut, ka dhënë dëshminë e tij babai i viktimës, Behar Cengu, raporton Ekonomia Online.

Babai i viktimës, Behar Cengu, ka thënë se si familje ia kanë lënë në dorë që drejtësia të vendos për djalin e tyre.

Prokurorja, Merita Bina Rugova, ka pyetur dëshmitarin rreth humbjes së jetës së Visarit.

“A mundeni të tregoni diçka se si e ka humbur jetën Visari”, ka pyetur ajo.

Behar Cengu, babai i viktimës Visar Cengu, është përgjigjur duke treguar rrethanat sesi ka kuptuar humbjen e jetës së djalit të tij.

“Unë jam vënë në dijeni, kam qenë në punë në atë kohë, kishte dal djali si gjithmonë sepse sa ishte kthyer nga Franca. Në orën 4 kishte dal kishte dhe ngrën bukë dhe kishte dal nga shtëpia. I ka marr në telefon dy shokët dhe kerrin e ka lënë te fakulteti në Kukës. Ishte natë nuk u kthye djali mendova që është në një darkë apo diku  Kuptohet se prisnim nuk e zë gjumi kur nuk kthehet djali në shtëpi. Dola në qytet, i rash në telefon djalit, ka qenë ora 3:30 e natës kisha shërbimin. E thirra shokun e shërbimit, ata e kishin kuptuar ngjarjen po na familja nuk kishim dëgjuar. Ai shoku më pyeti se a ka Behar tjetër në Kukës, ai shoku i punës më ka thënë shko në spital, aty e gjeta djalin. Sa herë që ka ardhur nga mërgimi kanë ardhur në Kosovë. Nuk kemi dëgjuar se djali ka pasur diçka me veti, ndoshta edhe lek nuk ka pasur në kohën kur ka dal nga shtëpia. Djali nuk ka poseduar armë. Unë dua drejtësi karshi djalit, unë dhe gjithë familja ime”, tha ai.

Avokati i të akuzuarit Florent Latifaj, ka pyetur dëshmitarin Cengu nëse familja e tij ka pasur problem me familjen e Dibran Hoxhës ose me dikë në Kosovë.

“Kur shkuat në spital kë e keni takuar aty. I plagosuri kush ka qenë. Arben Gashin a e takuat. A jeni takuar me Rutgen dhe Arbenin. Deri më sot kur po flasim,  keni pasur kontakte dhe biseduar me ta. Familja juaj më e gjerë a ka pasur problem me familjen e Dibran Hoxhës ose me dikë në Kosovë”, tha ai.

Cengu duke iu përgjigjur avokatit ka thënë se nuk kanë pasur problem me askënd në Kosovë.

“Në orën 6 e kam takuar djalin, pastaj ka pasur njerëz aty. Personat i plagosuri ka ikur për Tiranë, vëllai im ka qenë i vogli prezent aty. Ka pasur shumë, nuk më kujtohen të gjithë. Edhe djali im me ambulancë ka shkuar në Tiranë. I plagosuri ka qenë Rutgen Shehu. Po kanë marr pjesë në varrim edhe në ngushëllime. Jo se të dy janë jashtë. Jo me atë, por me askënd në Kosovë”, tha ai

Gjyqtari Vesel Ismali, ka pyetur dëshmitarin Cengu se çfarë njohurish ka për ngjarjen që i ka ndodhur djalit të tij.

Cengu ka thënë se nuk di më shumë se nuk ka qenë në ngjarje, por ka kërkuar që drejtësia të kryejë punën e vet.

“Ata kanë deklaruar te vëllau, jo të unë. Fëmijët i kam rritur me shumë sakrificë. Unë u kam dhënë shkollën fëmijëve e di unë si i kam rrit. Përfundimisht drejtësia duhet ta bëjë punën e vet. Ne e kemi lënë në dorën e drejtësisë, unë nuk di sepse nuk kam qenë në vend të ngjarjes”, tha ai.

Pas babait të viktimës në këtë seancë ka dhënë dëshminë e tij edhe dëshmitari i dytë Vllaznim Mustafa.

Prokurorja Merita Bina Rugova, ka pyetur dëshmitarin në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur me 3 janar të vitit 2023z “A po na tregon ku ke qenë më datën 3 janar 2023. A të kujtohet ajo natë. A ke vërejtur një grup të njerëzve qe kanë qenë nga Shqipëria”, ka pyetur ajo.

Dëshmitari Mustafa, para trupit gjykues ka shpjeguar ngjarjen që ka ndodhur në atë kohë.

“Kam qenë në lokalin Cobra City. Unë aty kam qenë në zëvendësim për një kohë të shkurtër. Ka qenë një nga Shqipëria Tafil Kurtishi, vetëm unë dhe Tafili kemi qenë këngëtar aty. Më kujtohen disa gjëra unë kam qenë duke kënduar aty. Kanë dal jashtë që të bisedojnë nëse nuk gaboj. Po kanë qenë tre persona, e di që kanë dal jashtë, ata kanë biseduar me menaxherët e lokalit. Nuk i njoh mirë ata me sa e di ka qenë Beni, sepse me të kam biseduar për punë. Më sa më kujtohet kanë dal të tre. Momentin kur kanë hyrë brenda prapë e kanë përplasë derën nëse nuk gaboj këta të Shqipërisë edhe kanë rrëzuar një tavolinë aty, marrin hygjym me hy në zyrë, kur kanë hy ashtu duke përplasur derën unë kam ikur në tualet pastaj deri kanë ardhur policia në atë moment kam dal jashtë. Kur kam dal polica kanë qenë duke kontrolluar vendin e ngjarjes. Ne muzikantët jemi larguar krejt nga salla”, tha ai.

Avokati i të akuzuarit Florent Latifaj, ka pyetur dëshmitarin se kush nga personat nga Shqipëria që kanë qenë të pranishëm kanë sulmuar më shumë.

“A të kujtohet se kush ka sulmuar më shumë”, ka pyetur ai.

Dëshmitari ka thënë se ka qenë një me trup më të gjatë se ka sulmuar zyrën. “Kur kanë hyr brenda njoni më i gjatë ka marr hygjum në derën e zyrës, unë në atë moment kam ikur. Gocat kanë qenë në atë zyrë, ai është munduar që ta hap nuk ka mundur. I mshojke me shkelma”, është përgjigjur ai.

Avokati Latifaj, ka pyetur dëshmitarin se në natën kritike a ka parë në sallë Dibran Hoxhën. “Dibran Hoxhën a e ke takuar atë natë”, ka pyetur ai.

Dëshmitari u përgjigj se e ka takuar Dibranin në fillim kur ka shkuar dhe në fund duke diskutuar me policin.

“Në atë moment jo, por kur kam shkuar në fillim të punës. Kur kam dal jashtë banjos e kam parë Dibranin me polici aty”, tha ai.

Avokati Latifaj ka pyetur se në fund të natës kur kanë marr bakshishin për muzikën që ka bërë, si ka qenë gjendja e Dibranit.

“A të kujtohet gjendja e Dibranit kur ka ndarë bakshishin”, ka pyetur ai.

Dëshmitari është përgjigjur se ai ka qenë i qetë. “I qetë ka qenë kur kam marr bakshishin”, është përgjigjur ai. Kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi, ka pyetur dëshmitari se kur ke shkaur në sallë a e ke takuar Dibrnai aty. Dëshmitari është përgjigjur se ai ka qenë aty. Krasniqi ka pyetur se “A ka qëndruar gjatë gjithë kohës”.

Dëshmitari është përgjigjur se e ka parë vetëm në fillimin dhe në fund. “Unë e kam parë vetëm në fillim dhe në fund me polici”, është përgjigjur ai.

Asnjë koment

Comments are closed.