25-11-2024

Mbi 16 mijë kosovarë hoqën dorë nga shtetësia për tri vjet

Mbi 16 mijë kosovarë kanë heqë dorë nga shtetësia në tre vitet e fundit.

Vetëm gjatë 2019-s, mbi 5.300 qytetarë, kanë ndërmarrë këtë veprim. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tregojnë se arsyeja kryesore për heqjen dorë nga shtetësia, është mos lejimi i dy shtetësisë në shtete të ndryshme ku shumë kosovarë kanë migruar.

Në kohën kur nuk ka liberalizim të vizave, pritjet për pajisje me viza, vazhdojnë të jenë të gjata.

I madh është edhe numri i kosovarëve që për arsye të ndryshme, po largohen nga vendi. E disa nga ata që në kërkim të jetës më të mirë, veçse kanë lënë shtetin e tyre, po heqin dorë edhe nga shtetësia e Kosovës. Rroksana Qarri, zyrtare për informim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tregon për televizionin publik numrin e atyre gjatë tre viteve të fundit kanë kërkuar të lirohen nga shtetësia kosovare.

“Gjatë vitit 2019, nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 5350 persona, zakonisht janë shqiptarë ata që lirohen nga shtetësia. Gjatë vitit 2018 janë liruar 5463 persona nga shtetësia e Republikës së Kosovës, ndërsa gjatë vitit 2017 numri i të liruarve nga shtetësia është 5700 persona”, tha Qarri.

Të dhënat flasin se për tri vjet gjithsej 16 mijë e 513 kosovarë kanë heq dorë nga shtetësia e Kosovës. Ky numër, nëse merret për bazë regjistrimi i fundit i popullsisë, është për 1,026 më i madh se numri i përgjithshëm i dy komunave të Kosovës, Hanit të Elezit, që në vitin 2011 kishte 9,403 banorë dhe Junikut, ku u regjistruan 6,084 shtetas. Zëdhënësja Qarri tregon arsyet kryesore që po i shtyjnë kosovarët të kërkojnë të lirohen nga shtetësia.

“Arsyet pse personat heqin dorë nga shtetësia e Republikë se Kosovës është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dy shtetësinë, përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e BE-së. Duke pasur parasysh që një numër i madh i shtetasve tonë jetojnë tashme me vite në këto shtete dhe si rezultat i saj kanë fituar të drejtën e fitimit të shtetësisë dhe janë te obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme, në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi”, tha Qarri.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i përgjithshëm i qytetarëve që aktualisht kanë shtetësi kosovare dhe janë gjallë, është 2 milionë e 458 mijë e 319 persona.

Asnjë koment

Comments are closed.