Mbi 17 mijë lëndë të pranuara vitin e kaluar në Gjykatën e Prizrenit,
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), sot ka mbajtur takimin e 276-të më radhë,
Pjesa më e madhe e këtij takimi kishte të bënte me raportimin e kryetarëve të gjykatave për vitin 2021, ku ishin të përfshira të dhënat për numrin e lëndëve në punë, numrin e lëndëve të pranuara, të kryera dhe atyre të mbetura.
Po ashtu, gjatë raportimit të tyre, kryetarët shpalosen përpara anëtarëve të KGJK-së edhe sfidat gjatë punës së tyre si numri i vogël i gjyqtarëve, numri i madh i lëndëve, mungesa e infrastrukturës në gjykata, vonesat në ndërtimin e objekteve të gjykatave, numri i vogël i përkthyesve etj, raporton Drejtësia Sot.
Fillimisht, anëtarët e KGJK-së kanë dëgjuar raportimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, për punën e këtij institucioni gjatë vitit 2021.
UD Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Artan Sejrani, para anëtarëve të KGJK-së ka prezantuar raportin e punës së kësaj gjykate dhe degëve të saj për vitin 2021. Sipas këtij raporti, ky institucion gjatë vitit të kaluar ka pranuar në punë 17 mijë e 67 lëndë, prej tyre janë kryer 11 mijë e 664 ndërsa në punë kanë mbetur 20 mijë e 673 lëndë.
Anëtarët e KGJK-së votuan aprovimin e raporteve të punës së gjykatave si dhe u mor vendimi për miratimin e planit të punës së Gjykatës së Apelit dhe planet e punës së shtatë gjykatave themelore për vitin 2022.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, dhe Zëvendës kryesuesi, Qerim Ademaj, duke falënderuar të gjithë kryetarët e gjykatave për punën e tyre, kërkuan angazhim dhe përpjekje edhe më të madhe për një performancë më të mirë të punës në të gjitha gjykatat e vendit.
Gjithashtu, KGJK bëri plotësim/ndryshimin e vendimit lidhur me përbërjen e komisionit rekrutues në konkursin për bashkëpunëtorë profesional, ashtu që gjyqtari Fahret Vellija u zëvendësua me gjyqtarin Nikolla Petronijevic, raporton Drejtësia Sot.
Pa praninë e mediave, KGJK kishte në rend të ditës shqyrtimin e ankesës ndaj vendimit të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve, KVP.nr.037/130/2021, të datës 24.12.2021, dhe shqyrtimin lidhur me dyshimet për shkelje disiplinore nga ana e dy gjyqtarëve. / GeP