Mbi 2.500 persona të vdekur nga aksidentet e trafikut në Kosovë nga viti 2002
Në vendin tonë, me aktivitete të ndryshme vetëdijesuese më herët se data e paraparë, po shënohet Dita Botërore e Përkujtimit të Viktimave në Trafikun Rrugor.
Një aktivitet i tillë është organizuar me studentë të Universitetit Publik të Prizrenit.Të hënën në amfiteatrin e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit në UPZ “ Ukshin Hoti”, përfaqësues të Policisë, ministrisë së Infrastrukturës dhe Shoqatës së Sigurimeve, kanë mbajtur një ligjeratë kushtuar shënimit të Ditës Botërore e Përkujtimit të Viktimave në Trafikun Rrugor.
Para studentëve të pranishëm, drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor të Policisë së Kosovës, Jeton Rexhepi, njoftoi se që nga viti 2002 në vendin tonë kanë humbur jetën 2506 persona nga aksidentet në trafik, dhe bashkërisht, vijoi ai, mund të angazhohemi në përmirësimin e gjendjes së sigurisë në rrugët tona, tha ai. Drejtori Rexhepi, më tej njoftoi se po nga viti 2002 në vendin tonë kanë ndodhur 15574 aksidente prej tyre fatkeqësisht kanë rezultuar edhe me fatalitet, por inkurajues është fakti se trendi i këtyre të fundit po shënon ulje, theksoi ai.
Drejtori i Departamentit Koordinues të Këshillit të Sigurisë në Komunikacionin Rrugor në MIT, Fejzulla Mustafa, tregoi për tre faktorët kryesor si shkaktarë të këtyre aksidenteve, dhe tha se kjo ministri është mjaft aktive përmes angazhimeve të shumta në ngritjen e vetëdijes së pjesëmarrësve në komunikacion. Studenti, Fatlind Tredhaku, e vlerësoi të rëndësishme këtë ligjeratë duke përfituar informacione të shumta për më shumë siguri në rrugët tona.
Ndërkaq, drejtues të Shoqatës së Sigurimeve, njoftuan se nga viti 2002-2018 janë dhënë rreth 400 milionë euro nga kompanitë e sigurimeve për kompensimin e dëmëve materiale të shkaktuara në aksidente, ndërsa për këtë viti deri më tani 22 milionë euro. Sipas statistikave, vendi ynë ndodhet në mesin e listës së shteteve që shënojnë aksidente në 100 mijë banorë në Europë, njoftuan zyrtarë të këtyre institucioneve. Ndryshe, e diela e tretë e muajit nëntor shënon Ditën Botërore për Përkujtimin e Viktimave të Trafikut Rrugor. Kjo ditë shënohet me qëllim të përkujtimit të miliona njerëzve që humbin jetën në aksidentet rrugore, por njëkohësisht edhe për mbështetje ndaj familjarëve të viktimave./tvprizreni