22-11-2024

Mbi 260 lëndë për korrupsion janë nëpër gjykata

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Nehat Idrizi, ka thënë se gjykatat kanë punuar në zvogëlimin e lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por ai ka sqaruar se janë mbi 260 lëndë të natyrës korruptive dhe 60 lëndë të krimit të organizuar.

Zgjidhje e këtyre lëndëve ishte edhe kusht për heqjen e vizave. Ndonëse ishte premtuar që këtë vit Kosova do të fitonte liberalizimin e vizave, kjo nuk do të ndodhë, edhe përkundër që po thuhet se kushte u plotësuan.

Sipas Idrizit politika ndëshkimore nuk është në nivelin e duhur dhe në bazë të kësaj të akuzuarit nuk po e marrin dënimin e duhur.

“Ne e dimë se një ndër kushtet e BE-së sa i përket liberalizimit ka qenë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kanë qenë diku rreth 305 lëndë të natyrës korruptive në 7 gjykata themelore, ku pjesa më e madhe e tyre, diku rreth 180 lëndë kanë qenë në gjykatën themelore të Prishtinës, meqenëse Gjykata themelore e Prishtinës e mbulon territorin më të madh, por edhe vet fakti që Prishtina si kryeqendër normalisht që edhe lëndët e kësaj natyre kanë qenë të procedura në këtë gjykatë”, ka thënë Idrizi për Ekonomia Online.

“Aktualisht në bazë të raportit të fundit kemi rreth 260 lëndë të kësaj natyre, dhe mbi 800 persona të akuzuar. Sa i përket lendëve të krimit të organizuar as aty nuk është numri i madh i lëndëve. Në bazë të statistikave diku rreth 60 lëndë të kësaj natyre janë”, tha ai.

Ndërkaq lidhur me shtimin e numrit të gjyqtarëve ai tha se këtë vit do të rekrutohen 37 gjyqtarë dhe se javën ardhshme do të procedohen tek presidenti për dekretim derisa e ka quajtur shqetësuese numrin e lëndëve të dorëzuar nga EULEX-i tek gjyqtarët vendorë.

Asnjë koment

Comments are closed.