26-11-2024

Mbi 5.000 kosovarë ia mësynë Shqipërisë për fundjavë

Vendosja e masave të reja kundër COVID-19 ku përfshihet edhe mbyllja e gastronomisë dhe qendrave tregtare deri më datë 18 prill, ka bërë shumë qytetarë të Kosovës që t’ia mësyjnë Shqipërisë për të kaluar këtë fundjavë.

Radhë të gjata të veturave janë parë gjatë ditës së premte në kufirin me Shqipërinë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi ka konfirmuar për KOHËN se vetëm gjatë 12 orëve të fundit, nga territori i Kosovës në drejtim të Shqipërisë në dy pikë kalimet kufitaret në Vërmicë dhe në Morinë kanë kaluar 5.498 persona.

“Më datë 09.04.2021 duke filluar nga ora 00:00 deri ne ora 11:00, kanë dal nga territori i Kosovës në drejtim të Shqipërisë përmes PKK Vërmicë dhe PKK Morinë 5498 persona”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, ky numër ishte dukshëm më i vogël dy ditë më parë.

“Më datë 07.04.2021 duke filluar nga ora 00:00 deri ne ora 11:00, kanë dal nga territori i Kosovës në drejtim të Shqipërisë përmes PKK Vërmicë dhe PKK Morinë 1475 persona, ndërkaq më datë 08.04.2021 duke filluar nga ora 00:00 deri ne ora 11:00, kanë dal nga territori i Kosovës në drejtim të Shqipërisë përmes PKK Vërmicë dhe PKK Morinë 1845 persona”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë.

Për ata që duan të kalojnë kufirin me Shqipërinë ose anasjelltas, aktualisht nuk ka ndonjë masë ndaluese apo kërkesë për tu pajisur me test negativ PCR.

Shqipëria javëve të fundit ka shënuar rënie të vdekjeve dhe rasteve të reja si pasojë e COVID-19 derisa në Kosovë ato janë rritur dukshëm./koha.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.