24-11-2024

Mbi 600 të dyshuar për falsifikim të certifikatës së veteranit të UÇK-së

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se ka nisur intervistimi i personave të cilët janë në listën e veteranëve të luftës së UÇK-së e që dyshohet se nuk kanë qenë në luftë, por kanë falsifikuar certifikatën e veteranit.

Ai në një prononcim për Ekonomia Online ka treguar se në regjionin e Pejës janë zënë 22-24 persona të cilët kanë falsifikuar certifikatën e veteranit.

“Diku 22-24 persona janë zënë në Pejë që kanë bërë falsifikim me certifikata, tani po del që më shumë ka pasur falsifikime. Në regjionin e Pejës (Klinë, Deçan dhe Istog) e di që i kanë thirr mbi 200 veteranë për t’u intervistuar, e di që edhe në Gjilan është hapur i njëjti rast dhe e di që edhe në komuna të tjera kanë filluar t’i thërrasin”, ka thënë ai.

Gucati tha se procesi i verifikimit ka nisë edhe në Gjakovë ndërkaq në Shqipëri numri i të intervistuarave si të dyshuar për falsifikim ka shkuar mbi 400.

“Në Gjakovë është një numër bukur i madh i të ftuarve. Ka filluar edhe në Shqipëri, në Tiranë janë duke u ftuar shumë persona, ka shkuar numri mbi 400 persona të ftuar deri tash që kanë marrë certifikatën e veteranit të UÇK-së. Ka filluar intervistimi sidomos i atyre rreth kufirit, Bajram Curri, Tropojë, Hasi e deri në Kukës. Ky proces është duke shkuar në rrugë të mirë dhe besoj që kjo punë do të kryhet me ligj”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ky proces po i dëmton shumë veteranët e vërtetë.

“Po na dëmton shumë neve si veteranë të vërtetë. Unë gjithmonë ju them veteranëve dhe shokëve të mi që të jenë krenarë për luftën që kanë bërë dhe të mos merren me ta. Veteranët e rrejshëm duhet t’i vret ndërgjegjja s’kanë qenë në luftë dhe kanë hy”, tha ai./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.