Kuvendi i Komunës (KK) i Prizrenit do të mblidhet të enjten në një seancë të jashtëzakonshme për të debatuar rreth përgjegjësisë së Kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka dhe drejtorit të Kulturës, Ehat Oreshka, për mosmbajtjen e sivjetme të festivalit tradicional “Zambaku i Prizrenit”, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
Dega e AAK-së në Prizren, përmes Grupit të kuvendarëve të Degës, ka kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme të KK-së me ç’rast e akuzon drejtorin Oreshka, si përgjegjës për mosmbajtjen e edicionit të 30 të Festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”.
“AAK kërkon shkarkimin e Drejtorit të Kulturës nga kryetari e nëse kjo nuk ndodh kërkojmë dorëheqjen e kryetari të Komunës”, thuhet në komunikatën e AAK-së.
Kjo është hera e parë që në këtë përbërje, KK mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, sipas kërkesës së opozitës.
Ky është një sinjal se në Prizren opozita ka filluar me veprime konkrete.
Kryesuesi i KK-së së Prizrenit, Artan Abrashi ka caktuar mbledhjen për datën 16 gusht, në orën 13:00./GazetaePrizrenit.net/