Mbrohet në heshtje ish-kryetari i Malishevës, i akuzuar për korrupsion
Pranë departamentit special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka vazhduar edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish kryetarit të komunës së Malishevës Ragip Begaj, raporton Drejtësia Sot.
Begaj po akuzohet nga Prokuroria Speciale se në kundërshtim me dispozitat ligjore ka përcaktuar lokacionin për ndërtimin e aneksit të shkollës-sallës sportive në këtë komunë, sallë kjo e cila nuk u ndërtua asnjëherë.
Në seancën e sotme të udhëhequr nga gjyqtarja Violeta Namani, u procedua me dëgjimin e 1 eksperti financiar, 1 dëshmitari të ftuar nga ana e mbrojtjes si dhe mbrojtjen e të akuzuarit Beqaj.
Kështu i pari që u dëgjua ishte eksperti i OSHP-së, A.Sh i cili theksoj se i qëndron në tërësi ekspertizës së tij të dhënë para këtij trupi gjykues. Ai gjithashtu theksoi se nuk ka pasur autorizime me vlerësu dëmin financiar me kërkesën për ekspertizë por vetëm ligjshmërinë e veprimeve të prokurimit të ndërrmarë nga komuna e Malishevës.
Ndërsa dëshmitari M.M., pranë gjykatës deklaroi se punon si zyrtar ligjor pranë kuvendit komunal të Malishevës. Ai tha kohë pas kohe pro bono e ka këshilluar kryetarin Begaj për aspektet ligjore të përgaditjes së vendimeve.
Pas përfundimit të dëgjimit të këtyre personave, avokati Emrush Kastrati propozoi nxjerrjen edhe një ekspertize tjetër por që u refuzua nga ana e trupit gjykues pas marrjes së mendimit edhe të prokurorit Naim Abazi.
Ndërsa kur procesi vazhdoi me dhënien e mbrojtjes së të akuzuarit Ragip Begaj, mori fjalën avokati Emrush Kastrati i cili theksoi se për shkak të problemeve shëndetësore që ka i mbrojturi i tij, kanë vendosur që të mos deklarohet i akuzuari dhe të mbrohet në heshtje. Këtë fjalë të avokatit Kastrati e përkrahu edhe vet i akuzuari Begaj.
Në fund gjyqtarja Violeta Namani ndërpreu procesin gjyqësor për të njoftuar se seanca ku do të mbahet fjala përfundimtare e palëve do të vazhdojë më datë 16 mars 2022 ora 9:00
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, e ngritur më datë 7 prill 2021, Ragip Begaj akuzohet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar sepse siç thuhet në aktakuzë nga data 06.07.2018 – në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar – kryetar i komunës së Malishevës, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij duke i shkaktuar dëm shtetasit R.R., dhe buxhetit të komunes së Malishevës.
Gjithnjë sipas akuzës, i njëjti e ka kryer këtë vepër penale në atë mënyre që më datë 07.11.2018 ka caktuar lokacionin për ndërtimin e shkollës në fshatin Panorc,që fillimisht i kishte premtuar të dëmtuarit që të hyjë në marrëveshje për shkëmbimin e tokës me qëllim të ndërtimit të shkollës në fshatin Panorc ku një pjesë e objektit te shkollës ishte planifikuar të ndërtohet në prone private, percjell Drejtësia Sot.
Sipas akuzës, krejt këto veprime të tij ishin në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të datës 04.05.2018 me nr. 02/135, vendim ky i cili kishte për qëllim që të ndërtohet aneksi i shkollës “Visar Krasniqi“-(sallë sportive) në fshatin Drenoc K. Malishevë, dhe i njëjti i kishte anashkaluar procedurat e Kuvendit Komunal të Malishevës, në kundërshtim edhe me nenin 11 të Ligjit nr. O4/-144 per dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, megjithatë, aneksi i shkollës– salla sportive nuk u ndërtua asnjëherë.
Më tutje sipas Prokurorisë i njëjti më datë 26.10.2018, ka nxjerr aktvendim per bartjen e mjeteve financiare nga nje program në një program tjetër apo nga një kod ekonomik në kundėrshtim me dispozitat e Ligjit 03/L-040 për vetëqeverisjen lokale, në atë mënyrë që mjetet financiare nga kodi investime kapitale, pa miratimin paraprak të MF i ka bartur në kodin mallra dhe shërbime, e me pastaj të njëjtat mjete i ka përdorur për pagesën e detyrimeve financiare të komunës ndaj personave të tretë, pa miratimin e Kuvendit Komunal.