25-11-2024

Mbrojtësit kërkojnë zgjatje të kufirit të fjalës për përgjigje të përbashkët ndaj prokurorisë lidhur me një mocion

Kjo është bërë e ditur përmes kërkesës së mbrojtjes së publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Në bazë të nenit 36(1) dhe 41 të Udhëzimit Praktik për parashtresat dhe dosjet para Dhomave të Specializuara të Kosovës, mbrojtësi Kadri Veselit, mbrojtësi i Hashim Thaçit, mbrojtësi i Rexhep Selimit dhe mbrojtësi  i  Jakup Krasniqit (së bashku, “Mbrojtja”) së bashku kërkon një ndryshim të kufirit të fjalës për dorëzimin e një Përgjigjeje të Përbashkët ndaj përgjigjes së Prokurorisë ndaj ‘Mocionit të Përbashkët të Mbrojtjes për Zbulim në bazë të Rregullës 103”, thuhet në fillim të shkresës.

Sipas shkresës, mbrojtja kërkon që ajo të ketë të drejtë të paraqesë një përgjigje të përbashkët të mbrojtjes, e cila nuk duhet të kalojë 2500 fjalë, pra një zgjatje prej 500 fjalësh.

“Më 10 qershor 2022, gjyqtari i procedurës paraprake miratoi një kërkesë të ngjashme të Mbrojtjes për ndryshimin e kufirit të fjalës për të paraqitur Mocionin e Mbrojtjes së Përbashkët në përputhje me Rregullën 103. Të njëjtat konsiderata vlejnë edhe këtu. Kërkesa është në kohë, dhe nuk parashikohet asnjë paragjykim nga pranimi i saj”, thuhet tutje.

Ndërsa, në fund thuhet se rrjedhimisht, mbrojtja me respekt kërkon nga gjyqtari i procedurës paraprake të urdhërojë ndryshimin e kufirit të fjalës të kërkuar në paragrafin 2.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzcs, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi

 Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.