23-07-2025

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon urgjentisht qasje në aktgjykimin konfidencial të Apelit në rastin e Pjetër Shalës

Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kanë kërkuar urgjentisht qasje në aktgjykimin konfidencial të Gjykatës së Apelit të Speciales ndaj Pjetër Shalës, me të cilin këtij të fundit iu ul dënimi nga 18 në 13 vjet burgim për krime lufte.

Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve, në kërkesën e tyre të dorëzuar më 22 korrik 2025, me të cilën i janë drejtuar Panelit të Apelit që shpalli aktgjykimin ndaj Shalës, kanë thënë se ekziston një qëllim i ligjshëm hetimor për këtë kërkesë dhe se qasja në materialin e kërkuar është e nevojshme për mbrojtjen, për shkak se sipas tyre, do ta lehtësonte procesin gjyqësor në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi“.

 

Mbrojtja ka thënë se kjo kërkesë nuk do të ndikojë në masat mbrojtëse në fuqi që janë të zbatueshme në këtë rast. Madje, ata kanë thënë se çdo përdorim i pjesëve konfidenciale të aktgjykimit do të paraqiten në mënyrë po ashtu konfidenciale.

Katër mbrojtjet, në kërkesën e tyre kanë thënë se krimet për të cilat Shala është akuzuar janë identike në aspektin kohor dhe gjeografik me ato për të cilat janë të akuzuar katërshja e UÇK-së.

Madje, ata thonë se të akuzuarit janë akuzuar nën përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale gjatë periudhës që përfshin marsin e 1998-ës deri në shtator të 1999-ës në kontekst të një konflikti të armatosur.

Andaj, mbrojtja thotë se qasja në aktgjykimin e Apelit ndaj Shalës është e nevojshme për ata, veçanërisht për përgatitjen e përmbledhjes përfundimtare të gjykimit.

Mbrojtja e ka nënvizuar edhe faktin që përfaqësuesi i viktimave ka thënë se disa çështje të rëndësishme për procedurat në rastin ndaj katërshes së UÇK-së janë zgjidhur në aktgjykimin e Apelit kundër Shalës.

Asnjë koment

Comments are closed.