24-11-2024

Mbyllen qendrat e votimit

Në ora 19:00, janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në katër komunat e veriut të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, ku janë zhvilluar zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komunash, derisa në Zveçan e Leposaviq janë mbajtur zgjedhjet edhe për asamble komunale.

Ajo që ka karakterizuar në gjithë këtë proces zgjedhor, mund të thuhet se pjesëmarrja e qytetarëve për të ushtruar të drejtën e votës ka qenë tejet e vogël. Ndërkohë që në komunat me shumicë serbe nuk ka pasur ndonjë qytetarë që ka ushtruar të drejtën e votës për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

KQZ pritet të dalë me të dhënat më të reja për rezultatin e zgjedhjeve.

Në Çabër deri më 18:45 kanë votuar 385 qytetarë

Në Çabër deri pak kohë para mbylljes së qendrës së votimit kanë votuar 385 qytetarë me të drejtë vote.

Në qendrën e votimit në Çabër deri në këtë moment, në orën 18:45 kanë votuar 385 qytetarë shqiptarë, nga 1534 sa kanë të drejtë vote, ndërkohë që këtu kanë pasur mundësi të votojnë edhe 600 qytetarë serbë, por që nuk kanë votuar.

Ndërkaq në qendrën alternative të votimit përballë “Tre Rrokaqiejve” kanë votuar 22 qytetarë, shumica shqiptarë dhe boshnjakë dhe 1 qytetar serb.

Përqindja e qytetarëve që kanë votuar në veri deri në ora 15:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur konferencën e tretë për sot.  Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, ka thënë se procesi zgjedhor në komunat veriore, deri tani, është duke shkuar në rregull dhe pa asnjë pengesë .

Sipas të dhënave, dalja e përgjithshme në zgjedhje është 2.4 për qind apo 1.092 nga 45.095 qytetarë me të drejtë vote.

Kjo është pjesëmarrja e qytetarëve deri në orën 15:00, sipas zëdhënësit të KQZ-së:

“Leposaviq: 110 votues, 0.83%; Zubin Potok: 240 votues, 3.6 %; Zveçan: 145 votues, 2.07% dhe Mitrovicë e Veriut: 597 votues, 3.3 %”, tha Elezi.

Ai njoftoi se konferenca e radhës do të mbahet pas përfundimit të votimit, në ora 19:30./ rtklive

Asnjë koment

Comments are closed.