11-06-2025

Mbyllet për qarkullim një segment në autostradën “Ibrahim Rugova” – Punimet zgjasin deri në 120 ditë

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar ndalimin e përkohshëm të qarkullimit për të gjitha automjetet në autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht në segmentin 7.

Sipas vendimit, ky segment do të mbetet i mbyllur nga data 9 qershor dhe do të qëndrojë jashtë funksionit deri në njoftimin e radhës, me afat maksimal prej 120 ditësh kalendarike. Vendimi ka hyrë në fuqi që nga sot.

“Punimet në këtë segment do të zhvillohen pas pranimit të një kërkese nga Carabinieri KFOR MSU, të cilët kanë kërkuar devijimin dhe mbylljen e këtij segmenti të kësaj autostrade me qëllim të vendosjes së barrierave akustike. Punimet në fjalë do të kryhen nga ana e kompanive ‘MAK CONTRUZIONI’ srl dhe ‘VIA SH.P.K.’ Këto kompani do të ndërmarrin të gjitha veprimet për vendosjen e sinjalizimit, të nevojshëm sipas planit të menaxhimit të trafikut për mbylljen dhe devijimin e qarkullimit rrugor duke bashkëpunuar me Departamentin për Menaxhimin e Rrugëve –MMPHI, dhe Policinë e Kosovës për të krijuar kushte të sigurta për pjesëmarrësit në trafik”, thuhet në njoftimin e MMPHI-së.

Në njoftim gjithashtu bëhet e ditur se trafiku do të zhvillohet sipas planit të paraparë nga KFOR-i, ndërsa qytetarët luten për kujdes dhe mirëkuptim gjatë kohës që zgjasin punimet.

Asnjë koment

Comments are closed.