Më 2019, në Kosovë u lindën gati 22 mijë fëmijë-emrat më të përdorur Alea e Amar
Saktësisht 21798 foshnje janë lindur në Kosovë më 2019, ka njoftuar Agjencia e Statistikave të Kosovës. Sipas njoftimit, këto janë lindje të gjalla, ndërsa ishin edhe 101 të vdekura. Janë regjistruar edhe 4364 lindje që kanë ndodhur jashtë Kosovës.
Sipas statistikave, mosha mesatare e grave që kanë sjellë në jetë fëmijë më 2019 ishte 29-vjeçe.
Numri më i madh i nënave, që kanë lindur fëmijë, është i grup-moshave: 25-29 vjeçare me 35.5%; grup-moshat 30-34 vjeçare me 26.7%; grup-moshat 20-24 vjeçare me 18.6%; dhe grup-moshat e tjera përbëjnë 19.1%, të numrit të përgjithshëm të lindjeve.
Fëmijën e parë e kanë lindur 37.6% e nënave; 32.2% e nënave kanë lindur fëmijën e dytë; dhe 19.8% e nënave kanë lindur fëmijën e tyre të tretë, e kështu me radhë.
Sipas peshës së fëmijës së lindur, në institucione shëndetësore, numri më i madh i foshnjave ishte me peshë: 3 000 – 3 499 gramë., ose 37.0%; 3 500 – 3 999 gr., ose 30.6%; 2 500 – 2 999 gr., ose 12.5%; etj. Ndërkaq, foshnjat e lindura gjallë, me peshë më të vogël se 1000 gr. përbëjnë vetëm 0.2%.
Për fëmijët e lindur jashtë institucionit mjekësor, sipas metodologjisë së hulumtimit nuk kërkohen të dhënat për peshën e tyre.
Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë nënat me: shkollë të mesme me 41.2%; shkollë të lartë dhe me fakultet marrin pjesë me 29.4%; shkollë fillore me 22.1% etj.
Emri me frekuencë më të madhe (më i shpeshtë) për vitin 2019 për vajza ishte emri Alea (131) dhe Ajla (129). Ndërsa, për djemtë emri më i shpeshtë ishte emri Amar (132) dhe Ajan (129) etj.
Shtatë nëna lindën treneq dhe 297 nëna kanë lindur bineq.