23-11-2024

Me kundërshtimet e opozitës, miratohet projektbuxheti komunal i Prizrenit për 2019

Më shumicë votash, por pa ato të opozitës, Kuvendi Komunal i Prizrenit, në një mbledhje të gjatë, sot pasdite  miratoi projektbuxhetin për vitin 2019-të të kësaj komune, në vlerë mbi 47 milionë euro, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Kuvendarët nga PDK dhe ata nga AAK në opozitë, Simir Krasniqi, Shukri Quni, Sherife Balaj, Sulltan Badallaj, Ilir Baldedaj, e të tjerë paraqitën vërejtje se projektbuxheti i propozuar nuk është gjithëpërfshirës dhe ka përplot mangësi, dhe për këtë nuk do ta votojnë atë.

Kritikat e tyre kishin të bënin me atë se disa projekte janë përfshirë vetëm sa për të thënë, meqenëse vlera e tyre e ultë, rreth 20 mijë euro nuk lejon as hartimin e projektit e lëre më realizimin e tyre, e në disa raste të tjera, sikurse projekti i ndriçimit publik, për të cilin parashihen 600 mijë euro është tepër i lartë, kur siç thanë tashmë pjesa më e madhe e kanë të kryer një projekt të tillë.

Drejtori i drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave, Ertan Simitçi, tha se shuma e buxhetit të paraparë për vitin në vijim do të pësojë 7 % rritje, nga mbi 43 milionë sa ishte për këtë vit, do të jetë mbi 47 milionë.

Ai tha se, hartimi i këtij projektbuxheti i është nënshtruar analizave dhe sygjerimeve të shumta, për hartimin sa më të mirë të tij.

Kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, ndërkaq tha se projektbuxheti ka mundur të jetë më i favorshëm sidomos me rritjen e subvencioneve, mirëpo një gjë e tillë na është pamundësuar nga ministria e Financave, ndërsa në atë janë përfshirë kërkesa të shumta nga dëgjimet publike dhe atyre të organizmave të ndryshëm.

Pas debatit, me 24 vota nga kuvendarët e pranishëm është miratuar ky projektbuxhet. /GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.