25-11-2024

Me pajton nëpër Prizrenin e bukur

Shkruar nga Qazim Morina

Në sheshin “Shatërvan”, të shumtën kur koha mban mirë, pranë karrocës së tij, interesante për kohën, qëndron plaku 77-vjeçar, Kadri Palla. Ai ofron shërbime për vendës e vizitorë të huaj, që qëndrojnë në qytetin historik.

Ajo që të bie në sy sapo të shkelësh në qendrën prej kalldrëmi në Prizren, si diçka që në ditët e sotme nuk mund ta shohësh çdo kund, e veçmas në qendrat tjera të Kosovës, është një kalë i bardhë, i mbërthyer në një karrocë të vjetër me rrota të mëdha, në formë pajtoni.

Shumëkush këtë e ka cilësuar si njëri ndër “lezetet” që të ofron qyteti i vjetër e monumental në jug të vendit.

Vetëm disa metra përtej Urës së Gurit, në sheshin “Shatërvan”, të shumtën kur koha mban mirë, pranë karrocës së tij, interesante për kohën, qëndron plaku Palla. Ai ofron shërbime për vendës e vizitorë të huaj, që qëndrojnë në Prizren. Varësisht nga sezoni ndryshon edhe çmimi i një xhiroje, nëpër rrugën unazore të qytetit, rrugëtim ky që për ta shijuar më mirë “shëtitjen” nën zhurmën e ritmit të këmbëve të kalit zgjat deri në 30 minuta.

Karroca ka kapacitet për pesë persona, ndërsa kënaqësinë e udhëtimit me pajton të hapur, dikur gjë e lakmuar për shumëkë, gjatë verës mund ta shijosh për 5, ndërsa gjatë dimrit edhe për 3 e 2 euro.

“Pajtonxhiu i Prizrenit”, siç njihet këtu, ndonëse në moshë është i mbajtur, Kadriu thotë se kjo ia mundëson të punojë e të kujdeset për kalin, madje jo vetëm ta ushqejë, por kur del në “shehër” për t’u kujdesur edhe për higjienën (urinimin), pasi kali qëndron në qendër, ku gjatë verës, përreth ka tavolina me klientë të dyqaneve të ndryshme.

Ai tha që këtë punë e bën prej 38 vjetësh. “Bereqatversen (faleminderit), në këtë moshë e në këtë kohë krize po ia dal ta siguroj idaren (jetën)”, thotë ai, derisa sqaron se këtë punë e ka trashëgim që nga gjyshi i tij.

“Prej tre brezash familja ime merret me pajton. Vazhdimisht kemi pasur kuaj të fuqishëm. Punën e gjyshit e ka vazhduar babai i cili para Luftës së Dytë Botërore, me pajton ka dërguar postën për në Kukës. Shkonte në mëngjes e kthehej në mbrëmje. Në këtë rrugë njëherë e kam shoqëruar edhe unë dhe ky udhëtim më pati pëlqyer”, shprehet ai. Palla tregon se karrocën që ka sot e ka trashëguar nga babai, pasi është një punë dore, ndërsa vetëm ia ka ndërruar rrotat, pasi këtu nuk ka mjeshtër për të rregulluar ndonjë pajton të stilit të vjetër, si ky çfarë e posedon ai.

Pasi kohërat kanë ndryshuar, tash me pajton udhëtohet vetëm për qejf.

Altin Berisha, një djalosh nga rrethina e Suharekës, që tash jeton në Zvicër, tha se para Vitit të Ri është kthyer në Prizren, për dasmën e nipit, ndërsa tregon se i është dukur interesant karroca që ndodhet te “Shatërvani”, andaj bashkë me fëmijët e shoqen e tij ka bërë një xhiro nëpër qytet. “Të gjithë jemi kënaqur e sidomos fëmijët tanë. Ata kanë bërë shumë foto dhe do t’i ndajnë ato me shokët e tyre në internet, pjesa më e madhe e të cilëve janë zviceranë dhe kjo do të jetë një reklamë e mirë për Prizrenin, që ne na pëlqen shumë, sidomos për qoftet e shijshme”, ka thënë ai.

Kur mban mot i mirë për pajtonin ka disa të interesuar. Palla thotë se gjatë verës bën deri në 40 gjiro. Ai tregon se të gjithëve, përfshirë edhe turistëve të huaj, si atyre gjermanë, turq, zviceranë, apo të tjerë që kanë udhëtuar me pajton u ka pëlqyer qyteti. “Të gjithë kanë thënë se ndihen të kënaqur dhe se Prizreni u është dukur interesant, ndërsa gjatë rrugës derisa mbaj frenat e kalit i kanë prekur ato dhe më kanë pyetur për monumentet e vjetra, si Hamamin e Gazi Mehmet Pashës e të tjera”, ka thënë ai, teksa ka treguar së ndonjëherë është dashur të mësojë edhe diçka prej ciceronit për të rrëfyer për qytetin.

Ai tregon edhe disa gazeta nga Turqia, të cilat kanë shkruar për pajtonin e Prizrenit.

Pajtonxhiu tregon se më parë, në kohën e fëmijërisë së tij, të gjithë kanë udhëtuar me këso karroce, sidomos priftërinjtë që shpesh kanë bërë rrugën nga Prizreni për në kishat e Zymit të Hasit, Velezhës e lokalitete të tjera.

Tashmë ky relikt i të kaluarës shfrytëzohet si një lloj dekori. Pajtoni merret si pjesë e solemniteteve familjare, në syneti e dasma. Plaku Palla thotë se në familjen e tij s’ka kush ta vazhdojë këtë traditë.

Në anën tjetër në fletushkat turistike të Prizrenit është përfshirë edhe pajtoni si një produkt i rrallë, që në kohën e sotme ta ofron ky qytet. /Marrë nga “Zëri”/ GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.