Mediumi spanjoll shkruan për kthimin në formë të sulmuesit nga Prizreni, Muriqit – është përsëri “Pirati”
Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi, po kalon një moment fantastik te Mallorca në La Liga, duke u shndërruar në një nga lojtarët më efikas të kampionatit spanjoll. Mediumi i njohur spanjoll, “Marca”, ia ka kushtuar një artikull performancës së tij, duke theksuar se Muriqi është kthyer në formën më të mirë dhe po shkëlqen me golat e tij.
“Marca” shkruan se Muriqi aktualisht ka shënuar tetë gola, të barabartë me Robert Lewandowskin, dhe vetëm Kylian Mbappe me 14 gola është më efikas se ai. Gazeta thekson se ky edicion po i buzëqesh sulmuesit prizrenas, i cili po luan një rol kyç te ekipi i trajnerit Arrasate.

“Futbolli po i buzëqesh. Ai është më i zjarrtë se kurrë dhe është përsëri figurë kyç në ekipin e trajnerit Arrasate. Aq i rëndësishëm është saqë ka shënuar më shumë se gjysmën e golave të skuadrës së tij. Mallorca i ka 15 gola gjithsej. Tetë prej tyre mbajnë firmën e Muriqit, që ka luajtur në 13 ndeshje”, shkruan “Marca”.
Sulmuesi vazhdon të jetë i vendosur për t’u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Mallorcas. Me 53,3 për qind të golave të skuadrës, ai kryeson këtë statistikë në La Liga, duke e lënë pas edhe Kylian Mbappen, i cili ka realizuar 48,27 për qind të golave të Real Madridit.

Edicioni më i mirë i Muriqit te Mallorca mbetet 2022/2023, kur sulmuesi shënoi 15 gola dhe dhuroi tri asistime në 35 ndeshje kampionale, duke realizuar 40,5 për qind të golave të skuadrës. “Sulmuesi kishte shënuar shtatë gola deri në javën e 15-të në La Liga atë edicion. Pra një më pak se këtë edicion. Nëse Muriqi mund ta ruajë këtë efikasitet para portës, atij nuk do t’i duhet shumë kohë për të arritur shifrat më të mira në të gjithë karrierën në ishull”, ka shkruar Marca.


