Mediumi turk: Për 10 vjet Kosovës i ikën mbi 500 mijë njerëz
Për 10 vjet Kosovës i janë larguar 500 mijë qytetarë, një shifër alarmante krahasuar me numrin e banorëve që sipas regjistrimit të popullsisë nuk është as 1 milionë e 800 mijë.
“Në Kosovë brenda 10 viteve e kanë braktisur vendin 529.647 qytetarë ose 30 për qind e popullsisë së përgjithshme. Popullsia në Kosovë për vitin 2021 vlerësohet të jetë 1,773. 971 banorë rezidentë”, ka raportuar TRT Balkan.
Largimi i madh i qytetarëve vërehet edhe në shkolla, kur ka çdo ditë e më pak nxënës.
Nga të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kuptohet që Kosova është një ndër shtetet me uljen më të madhe të numrit të nxënësve për një vit në rajon.
Në vitin 2021/22 në Kosovë kishte 217.977 nxënës apo 5.931 më pak nxënës në shkollat fillore se në vitin 2020/21, ku numri i përgjithshëm i nxënësve të shkollave fillore ishte 223.908.
Kosova qëndron keq në këtë drejtim, por mirë nuk janë as vendet e tjera të rajonit – sidomos Shqipëria që është lider për emigrim.
“Në periudhën e vitit 2008-2018 sipas një hulumtimi nga Instituti EPIK, Shqipëria rradhitet e para në rajon për migrim me 1.249.706 të migruar brenda 10 viteve apo 44 për qind e popullsisë së përgjithshme. Llogaritur më 1 janar të vitit 2022 numri i popullatës në Shqipëri numëron 2.793.592 banorë”, thuhet në hulumtim.
Probleme me ikje masive kanë edhe vendet e tjera të rajonit si Serbia, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veirut e Mali i Zi.