23-12-2024

Menaxheri i zyrës së prokurimit në Malishevë mohon fajësinë se dha kundërligjshëm një tender në vlerë afro 20 mijë euro

Nuhi Shalaj, menaxher i zyrës së prokurimit në Komunën e Malishevës, ka mohuar fajësinë se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. I pafajshëm është deklaruar edhe biznesmeni Avni Stublla, i cili në këtë rast po akuzohet për mashtrim në prokurim publik.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Shalaj po akuzohet se ia ka mundësuar një operatori ekonomik në mënyrë të kundërligjshme ta fitojë një tender për rregullimin e varrezave në lagjen “Hoti” në Komunën e Malishevës, i cili kapë vlerën e afro 20 mijë eurove.

Në këtë rast, për mashtrim në prokurim publik po akuzohet dhe biznesmeni Avni Stublla, përkatësisht pronari i njërit nga bizneset që ka fituar tenderin që është objekt i aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni, dy të akuzuarit kanë mohuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Pas kësaj, meqenëse të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjykatësi Drilon Haraçia i njoftoi ata dhe mbrojtësit e tyre, avokatët Bekim Kafexholli dhe Ermonda Zogiani, se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet, mirëpo se kanë të drejtë që në afat prej 30 ditësh të paraqesin me shkrim kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Sipas aktakuzës, Nuhi Shalaj po akuzohet se në cilësinë e menaxherit të zyrës së prokurimit në Komunën e Malishevës, nga intervali kohor duke filluar nga 19 tetori 2020 e deri më 18 nëntor 2020, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore Avni Stubllës, si dhe operatorëve ekonomik pjesëmarrës në tender.

Tutje sipas aktakuzës, i akuzuari duke vepruar në kundërshtim me nenin 24, paragrafi 1 dhe nenin 62, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 1.1 të Ligjit për prokurimin publik, i ka mundësuar operatorit ekonomik të ofertojë në mënyrë të kundërligjshme si individual dhe në grup të operatorëve ekonomik, përkatësisht Avni Stubllës, pronarit të biznesit “Groweco Shpk” dhe personit të autorizuar për biznesin “Stublla Shpk”, me pronar Ali Stublla, të fitojë tenderin: “Rregullimi i varrezave në lagjen Hoti në Malishevë”, në shumën prej 17 mijë e 182 euro e 87 centë, duke nënshkruar kontratën e punës për operatorin ekonomik fitues të tenderit Nr.03/112, të 18 nëntorit 2020.

Me ç’rast, thuhet se ka favorizuar operatorin ekonomik në kundërshtim me dispozitat e ligjit të zbatueshëm.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari tjetër Avni Stublla, po ngarkohet se gjatë intervalit kohor të lartcekur duke shkelur rregullat për prokurimin publik, gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, ka rënë në vonesë në pagimin e obligimeve, pikërisht tatimit dhe duke iu shmangur kualifikimeve minimale të kërkuara dhe specifikuara  në dosjen e tenderit dhe në njoftimin e kontratës me qëllim ndikimi te autoriteti kontraktues, në cilësinë e personit përgjegjës për bizneset e lartcekura, në mënyrë individuale dhe si grup i operatorëve ekonomik ka ofertuar në mënyrë të kundërligjshme duke fituar tenderin e lartcekur, duke fituar kontratën e punës për operatorët ekonomik të tenderit në kundërshtim me rregullat dhe Udhëzuesin operativ për prokurimin publik me nenin 27, paragrafin 5.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.