Shkruan: Qazim Morina
22 vjet më parë, sidomos pas betejës së 14 dhjetorit 1998 në malet e Pashtrikut, në të cilën ra heroikisht komandanti Mujë Krasniqi dhe 41 ushtarë të UÇK-së, forcat serbe kishin shtuar patrullimet në fshatrat kufitare të Hasit.
Ndonëse natën nuk kishte lëvizje të tyre për shkak se gjatë kësaj kohe kryesisht lëviznin pjesëtarët e UÇK-së, ushtarët e policët serbë, zakonisht nisnin patrullimet me automjete në mëngjes.
Kështu ndodhi edhe me 28 janar 1999, kur ata ishin stacionuar tek varrezat, në kodrën e afërt mbi Romajë. Diku rreth orës 08:00 të mëngjesit, nga tanket e tyre filluan të shtënat dhe granatimet në drejtim të maleve të Pashtrikut.
Kjo shkaktoi frikë dhe huti tek banorët e fshatit dhe të fshatrave përreth, sidomos tek fëmijët.
Ishte ditë e enjte. Fëmijët, të cilët ishin nisur për në shkollë, por edhe banorët po shihnin qartë flakën që dilte nga armët e pushtuesve, që shkonte duke u egërsuar edhe më shumë, pas masakrës së Reçakut, këmbëngulësisë së UÇK-së dhe faktorizimit të elementit shqiptar para Konferencës së Rambujesë.
Në qendër të Romajës, tek shkolla në këtë kohë nga Prizreni kishte arritur edhe autobusi i mëngjesit, duke sjellë nxënës të shkollës së mesme, mësues e udhëtarë, të cilët me të zbritur mbetën të tmerruar nga ajo që po shihnin. Ata filluan të strehohen në shtëpitë e afërta të fshatit.
Për shkak të pozitës së mirë, si në pëllëmbë të dorës, forcat serbe kishin parë në shtratin e lumit “Dështica” tek po gjuanin peshk dy persona, të cilët edhe i kishin maltretuar fizikisht.
Në fshat kishte huti e frikë. Si pasojë e situatës, banorët filluan të largohen. Një pjesë e fshatit u zbraz. Njerëzit shkuan në drejtim të Prizrenit ose qendrave të tjera, duke kërkuar vendbanime më të sigurta momentale.
Më vonë, rreth drekës forcat serbe u tërhoqën.
Një ditë më pas, mëngjesin e hershëm të 29 janarit, ndodhi masakra e tmerrshme në fshatin e afërt, Rogovë të Hasit, ku ranë në pritë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa nga vrasjet nuk u kursyen as shumë civilë të fshatit. U masakruan 14 fshatarë.
Gjatë ditëve 27,28, dhe 29 janar kanë rënë 21 dëshmorët të UÇK-së mes tyre edhe Gaspër Karaqi.