Mercedes G63 me vlerë 160 mijë euro sekuestrohet në Suharekë, dyshohet se pronari kishte detyrime të pashlyera në Gjermani
Një operacion i suksesshëm i Policisë së Kosovës ka përfunduar me gjetjen dhe sekuestrimin e një automjeti luksoz me vlerë rreth 160 mijë euro në qytetin e Suharekës.
Bëhet fjalë për një veturë të tipit Mercedes G63 të vitit 2022, e cila dyshohet se ishte larguar ilegalisht nga Gjermania për t’iu shmangur detyrimeve financiare të pronarit.
“Sekuestrimi i automjetit është bërë me kërkesë të autoriteteve gjermane, pasi ekziston dyshimi se pronari i tij kishte detyrime të pashlyera lidhur me këtë automjet. Në vend që t’i përgjigjej kreditorit, pronari kishte larguar automjetin nga Gjermania, ndërsa i njëjti është gjetur në Kosovë, konkretisht në qytetin e Suharekës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas policisë, vetura është sekuestruar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe për veprimet e mëtejme do të veprohet sipas udhëzimeve të institucioneve përgjegjëse të drejtësisë.