Mesazhe në Instagram/ Jasir Asani iu përgjigj me supergol ‘kërkesës’ së Luizit
Nën një atmosferë të zjarrtë, mbrëmjen e kaluar Shqipëria arriti një fitore madhështore.
Kuqezinjtë e trajnerit Sylvinho nuk zhgënjyen përballë tifozerisë së tyre dhe mposhtën me shifrat 2-0, Poloninë.
Këngëtari i njohur i skenës shqiptare, Luiz Ejlli, ka vendosur që ndeshjen Shqipëri-Poloni të mos e ndjekë në stadium, por nën shoqërinë e disa miqve të tij, në një lokal.
Fillimisht në një postim të bërë në “Instastory”, ku shihet në fotografi me një grup miqsh duke parë ndeshjen, Luizi me shaka ka shkruar: “Sapo i thashë Jasir Asanit që jemi mbledhur për ty, gol direkt”.
Dhe këtij mesazhi, Jasir Asani, i cili ngriti në peshë zemrat e shqiptarëve mbrëmjen e kaluar, i është përgjigjur ditën e sotme, ku ka shkruar:”Rrofsh vëlla”, përgjigje të cilën e ka shoqëruar më të qeshura.
Mirëpo, Luizi nuk është ndalur me kaq, ai ka vijuar t’i dërgojë sërish mesazhe mesfushorit, duke shkruar: “Suksese vëlla. Lart e më lart. Për shaka e thashë se unë nuk jam tifoz por vërtet ma bërë qejfin dhe më bërë jo vetëm mua krenar por të gjithëve”.
Jasir Asani është zbulimi i këtyre eliminatoreve të Euro2024 në radhët e kombëtares shqiptare. Mesfushori me tipare sulmuese u thirr për herë të parë në fillimin e këtyre kualifikueseve, duke qenë i pari i thirrur nga trajneri Sylvinho.
Dy supergola në pesë duele me fanellën kuqezi, njëri më i bukur se tjetri i dhuruan fitore të rëndësishme kombëtares shqiptare. Sa herë që ai shënon, Shqipëria fiton 2-0, diçka që e bëri kundër Moldavisë dhe tashmë me Poloninë. Realizimi përballë moldavëve u zgjodh si goli më i bukur i raundit nga UEFA.
Asani është ndër lojtarët që sakrifikon shumë për të mbërritur në grumbullimin e kombëtares. 28-vjeçari luan me Gëangju në Korenë e Jugut, aty ku po kalon një formë fantastike dhe që po e tregon edhe me kombëtaren.