Mësimi plotësues për Testin e maturës do të mbahet online
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Tekologjisë, Ramë Likaj ka marrë vendim që mësimi plotësues i ambientimit dhe përgatitjes së nxënësve për Testin e Maturës për klasët e 12-ta të mbahet në formën online (mësim në distancë).
Në njoftimin e MASHT-it thuhet se këtë vendim, Likaj e ka marrë pas konsultimeve gjatë ditës së sotme me Ministrinë e Shëndetësisë, ekspertët e IKShP-së, kryetarët e komunave dhe Kolegjiumin e Drejtorëve Komunal të Arsimit
“Mësimi plotësues për klasat e 12-ta, sipas këtij vendimi, do të fillojë të hënën, me datë 15.06.2020, në formën online (mësim në distancë)”.
“Me Kalendarin e përshtatur të përfundimit të vitit shkollor 2019/2020 në rrethana të pandemisë COVID-19 ishte paraparë që të mbahet mësim përgatitor në shkolla, por vendimi për formën online të mësimit është marrë me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik”.
“Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA-të) janë obliguar që ta zbatojnë këtë vendim deri në një vendim tjetër”, thuhet tutje në njoftim.