25-11-2024

Mësuesja në Prizren nis punën pa konkurs, Drejtoria e Arsimit: Që nxënësit mos të humbin mësimin!

Punësimet në vendin tonë, veçmas ato në baza partiake shpesh kanë vënë shumë pikëpyetje e pakënaqësi tek opinioni, ku nuk kanë munguar as kritikat e ankesat e shumta. 

As Komuna e Prizrenit, nuk ka ngelur pas sa i përket mënyrës së shpalljes së konkurseve dhe punësimeve, veçmas në fushën e arsimit.

E, një vend pune ka zënë edhe Arnisa Cenaj, e cila është angazhuar si mësuese në shkollën “Emin Duraku” në Prizren. E njëjta madje është pranuar në këtë institucion shkollor pa konkurs.

Këtë për IndeksOnline, e ka konfirmuar edhe drejtori i shkollës në fjalë, Rrahim Bekteshi, ani pse të njëjtit kishin kërkuar nga DKA në Prizren një mësimdhënëse, në mungesë të saj.

“Mësuesja Lindita Haxhijaha, ka qenë para kësaj mësueses Arnisa Cenaj. Ajo është pranuar në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë si ligjëruese. Ne e kemi bërë kërkesën në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prizrenit për pranim të një mësueseje, që ta shpallë konkursin dhe është dërgu mësuesja Arnisa Cenaj, e cila ka qenë në listë të pagave. Ajo e ka nis punën pa konkurs nga muaji tetor në shkollën tonë”, ka thënë Bekteshi.

Ndërsa Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Xhemile Thaçi – Vezgishi, në një përgjigje për IndeksOnline ka thënë se mësimdhënësja A.C ka qenë në marrëdhënie pune në një shkollë tjetër, ndërsa për shkak të procedurave të konkursit, që nxënësit mos ta humbin procesin mësimor është angazhuar në shkollën “Emin Duraku” .

”Për informim korrekt të komunitetit arsimor dhe publikut të gjerë, lidhur me rastin e mësimdhënëses me inicialet A.C. bëjmë këtë : SQARIM

E lartëshënuara ka themeluar marrëdhënie pune si mësimdhënëse klasore që nga data 15.01.2018 me institucion të konkursit publik (neni 8 i Ligjit të Punës), me kohë të caktuar. E njëjta ka punuar në ShFMU ‘’ Besim Ndreca’’ në Lutogllavë. E njëjta është në listën e pagave të Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe është e angazhuar përkohësisht në shkollën ‘’Emin Duraku’’, për të mos humbur nxënësit në procesin mësimor, përkatësisht gjerë në zhvillimin e procedurave të konkursit të brendshëm, të cilën DKA do t’a zhvillojë brenda afatit të shkurtër kohor (neni 12, pika 2 e Ligjit të Punës)”.

Thaçi – Vezgishi shton se i tërë ky proces është ligjor dhe nuk ka të bëjë me themelimin e marrëdhënies së punës pa konkurs publik./Indeksonline/

Asnjë koment

Comments are closed.