Millanoviq: Kosovën duhet ta njohin të gjitha shtetet e BE-së, Kroacinë e keni mbrapa
Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq tha të premten në një bisedë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se të gjithë anëtarët e BE-së që nuk e kanë bërë ende këtë duhet ta njohin Kosovën, njoftoi zyra e presidentit kroat.
Shtetësia e Kosovës nuk njihet nga Spanja, Qiproja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia, anëtarë të BE-së.
Presidenti kroat shtoi se Kosova ka mbështetjen e plotë dhe të vendosur të Kroacisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në të gjitha asociacionet ndërkombëtare.
Millanoviq po ashtu tha se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm sepse do të nënkuptonte stabilitet më të madh në Evropën Juglindore, “që është edhe në interesin kombëtar kroat”, thuhet në deklaratë.
Kurti u takua më herët të premten me kryeministrin Andrej Pllenkoviq dhe kryeparlamentarin Gordan Jandrokoviq. /IO