Ministri Ismaili: Gjinekologu që kreu abortin e të miturës nga Drenasi nuk kishte licencë
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka folur mbi rastin e abortit të vajzës nga Drenasi, për të cilin ka thënë se gjinekologu nuk ka pasur licencë në kohën e kryerjes së abortit të saj.
Ai ka thënë se institucionet private shëndetësore duhet të bëjnë kërkesë për rilicencim pas skadimit të licencës së parë, duke shtuar se një barrë e tillë bie vetë mbi ta e jo mbi Ministrinë.
“Rasti i të miturës nga Drenasi ka qenë rast që e ka prekë ndërgjegjen e shoqërisë, nuk ka qenë rast i izoluar për një shtresë. Përpos dhimbjes ne e kemi edhe një obligim shtesë me politika konkrete. Bazuar në Ligjin për Shëndetësi shërbimet ofrohen në institucione publike dhe ato private. Në Kosovë ekziston një numër i madh i tyre. Nga informatat e fundit, në sektorin privat janë 1666 institucione private të licencuara shëndetësore, nga to 28 janë spitalore”, tha ministri Ismaili.
“…Bazuar në legjislacionin aktual licencat lëshohen për pesë vjet dhe rilincencimi nuk bie mbi MSH-në, por mbi atë që e ka kërkuar licencën. Secila ambulancë, e cila është e licencuar dhe që ka nevojë për të ta ketë aplikimin për rilicencim 2 muaj para se t’i skadojë. Ordinanca që ka bërë abortin ka qenë e palicencuar dhe barra bie mbi atë ordinancë. Barra e përgjegjësisë është që të kemi kërkesë paraprake për rilicencim”.
Ministri Ismaili tha se ambulancës së gjinekologut Fehmi Ahmeti, që dyshohet se ka kryer abortin i ka skaduar licenca.
“Ambulantes së gjinekologut, Fehmi Ahmeti, që ka qenë i dyshuar për kryerje aborti i ka skadu licenca. Vetë doktori ka pasë licencë, por licenca për intervenime jepet tek institucioni privat. Për abort kërkohen disa kushte që parashihen me Ligj edhe ato kushte ambulanca nuk i ka bë. Vajza ka kry abortin kur ambulanca nuk ka pasë licencë që e ka rreziku shëndetin e vajzës, por edhe e ka shkelë legjislacionin në fuqi. Ambulanca nuk ka ardhë me kërku licencë”, tha Ismaili.
Ai ka treguar se hetimet kanë filluar jo vetëm nga prokuroria, por edhe nga Oda e Mjekëve. /Ekonomiaonline/