Ministri Shala: Shtrenjtimi i bukës i paligjshëm
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, e ka quajtur të paligjshme ngritjen e çmimit të miellit dhe bukës pas taksës prej 10 për qind ndaj importit të produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Shala, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Tregti dhe Industri, ka thënë se nuk ka arsye për rritje të çmimeve, derisa ka shtuar se rritja është organizuar nga tregtarët, raporton KTV.
Ai ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Autoriteti i Konkurrencës që të merret me këtë çështje.
“Sipas të dhënave që i kemi, Kosova tash mbulon 80 për qind nevojat e saj me grurë, por përkundër kësaj, mundësia që ta kontrollojmë këtë ngritje jo të ligjshme apo jo të nevojshme të çmimit të miellit, bukës, kam kërkuar nga autoriteti i konkurrencës ta ushtrojë mandatin e vet. S’ka arsye për rritje të çmimit, kjo është e koordinuar nga disa shoqëri tregtare, kryesisht në Prizren dhe Kaçanik”, ka thënë Shala.
Memli Krasniqi nga PDK-ja ka kërkuar që taksa ndaj produkteve serbe të rritet deri në 25 për qind, si kundërpërgjigje ndaj fushatës agresive të Serbisë karshi Kosovës, sidomos pas pengimit për anëtarësim në Interpol.
Ai i ka bërë thirrje ministrit që të mos lejojë që tregtarët të keqpërdorin vendosjen e taksës për të ngritur çmimet e produkteve.