Ministri Zemaj në Vërmicë: Respektoni udhëzimet e IKSHPK-së, që të ketë lëvizje të lirë siç na ka hije
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka vizituar sot pikën kufitare në Vërmicë për të shikuar nga afër se si po ecën qarkullimi në këtë anë.
Madje ai ka lutur të gjithë zyrtarët në këtë pikë kufitare që të jenë korrekt dhe të respektohen të gjitha udhëzimet e IKSHPK-së.
“Të jemi korrekt të respektohen masat dhe për të tjerat do të përkujdesemi ne. Mbani maskat dhe distancën. Të ruajmë shëndetin bashkërisht dhe të mundësojmë lëvizjen e lirë ashtu siç na ka hije”, dëgjohej teksa Zemaj i drejtohet zyrtarëve në këtë pikë të kufirit Kosovë-Shqipëri, shkruan Indeksonline.
Zemaj ka përcjellur nga afër gjithë procesin e qarkullimit në këtë anë, ku ka diskutuar nga afër edhe me zyrtarët policor kufitar dhe ata doganor në mënyrë që të jenë sa më të informuar lidhur me situatën e tanishme pas hapjes së kufirit dhe vendimit që personat që hyjnë në Kosovë të mos vetizolohen.
“Unë sot jam bashkërisht me të gjitha kapacitetet që i ka Republika e Kosovës që të shohim edhe në praktikë, se si po qëndron çështja e lëvizjes së lirë dhe njëherësh edhe ajo e ruajtjes së shëndetit të qytetarëve që hyjnë e dalin nga Kosova.Andaj ju lutem edhe juve dhe atyre që hyjnë në Kosovë të përçoni mesazhin e respektimit të masave të dhëna nga IKSHPK-së dhe MSH e Qeveria e Kosovës”,tha Zemaj./Indeksonline/