MPJ kërkon kujdes nga qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi
Ministria e Jashtme e Kosovës përmes një komunikate për opinion i këshilloi shtetasit e Kosovës për kujdes dhe maturi, në rast se nuk mund të shmangin qarkullimin nëpër territorin e Serbisë.
“Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se Serbia nuk është më një territor, i cili ofron as siguri minimale për integritetin e tyre fizik dhe juridik dhe as për familjarët e tyre. Për rrjedhojë, sugjerohet evitimi i përkohshëm i qarkullimit përmes këtij vendi”, thuhet në komunikatë.
E njëjta sqaron se ky njoftim vjen si rezultat i, siç thuhet, arrestimeve të vazhdueshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga ana e institucioneve të Serbisë.
“Një numër i tyre madje edhe është keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht”, thotë komunikata.
Lëvizja e lirë parashihet me njërën nga marrëveshjet që Kosova dhe Serbia kanë arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve./Express/GazetaePrizrenit.net/