Ministria premton ta nisë së shpejti riparimin e rrugës së Hasit, Gjonaj-Bishtazhin
Ministria për Infrastrukturë dhe Transport (MIT) ka njoftuar se së shpejti pritet të nisë riparimi i rrugës rajonale Gjonaj-Bishtrazhin, që lidh fshatrat e Hasit të Prizrenit dhe Gjakovës, që është deformuar tërësisht, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Publikimit i stories rreth gjendjes së kësaj rruge nga portali “Gazeta e Prizrenit”, gjatë javës që po lëmë pas ka arritur shikueshmëri të lartë, ndërsa është përcjellë edhe me komente për neglizhencë rreth intervenimit në aksin më të rëndësishëm rrugor të një rajoni, i cili edhe ka participuar gati 1 milion euro për asfaltimin e tij.
Njoftohet se storien e ka parë edhe ministri i MTI-së, Pal Lekaj i cili disa herë ka kaluar nëpër të, sidomos gjatë kohës sa ishte kryetar i Komunës së Gjakovës.
Për të parë se çfarë po ndodh me këtë rrugë, i jemi drejtuar MIT-it, ndërsa kemi marrë përgjigjen se Departamenti i Infrastrukturës Rrugore në MIT ka përgatitur projektin zbatues gjatë vitit 2018 dhe pas përgatitjes dhe kompletimit të dokumentacionit, ka bërë inicimin e procedurave të prokurimit, kështu që më 30 tetor 2018, e ka dorëzuar kërkesën në divizionin e Prokurimit për procedura të mëtutjeshme.
“Pas ankesave të vazhdueshme të operatorëve ekonomik, tani Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka vërtetuar vendimin e MIT-së me një operator ekonomik dhe së shpejti pritet të nënshkruhet kontrata dhe të bëhet fillimi i punimeve për këtë rrugë”, thuhet në përgjigjen e MTI-së dërguar portalit “GazetaePrizrenit.net”.
Sa i përket Komunës së Prizrenit, zëdhënësi i saj Lis Dormabari, tha se pasi rruga në fjalë është regjionale e menaxhon ministria (MIT) ndërsa Komuna e Prizrenit nuk ka mjete të planifikuara në buxhetin e këtij viti.
Ndryshe, një falënderim për përgatitjen e stories për gjendjen e mjerueshme të rrugës së Hasit, në foltoren e Kuvendit Komunal të Prizrenit, ku ishte prezentë edhe kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, portalit “GazetaePrizrenit.net” ia ka bërë edhe kuvendarja e KK-së, Sherife Balaj.
Kjo ishte storia e publikuar për rrugën e Hasit: