Ministrja Hajdari nënshkruan vendimin për rregullimin e çmimeve të naftës
Me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe konkurrencës së ndershme në tregun vendor, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nënshkroi vendimin për rregullimin e çmimeve dhe vendosjen e masave të tjera mbrojtëse, për produktet e naftës të përdorshme në transport.
Përmes një njoftimi në ‘Facebook’ ministrja Hajdari theksoi se ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të produkteve të naftës, ku si rezultat është evidentuar se, ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi reflektohen menjëherë në rritje të çmimeve shitëse në tregun vendor, por jo edhe kur bien çmimet furnizuese nga importi i produkteve të naftës.
Sipas saj, këto të dhëna janë nga evidencat e përditshme të Doganës së Kosovës dhe raportet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.
Lexo edhe:
Debakli i partisë së Shaqir Totajt, në qendrën e tij të preferuar
“Sipas këtij vendimi, përcaktohet: – marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë në dy (2) eurocentë për litër dhe – marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë në dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër”. Po ashtu, ky vendim i detyron subjektet për t’u furnizuar me produkte dhe për të ofruar për shitje produktet e naftës, pa ndërprerje, si dhe të respektojnë çmimet me marzhën tregtare maksimale të lejuar dhe tjera masa mbrojtëse të përcaktuara.
Gjithashtu, zbatimi i këtij vendimi parasheh mbikëqyrje të shtuar inspektuese, paraqitjen e rasteve të dyshimta te Autoriteti i Konkurrencës, si dhe bashkëpunim të ngushtë të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës”, ka nënvizuar ministrja Hajdari.
