24-11-2024

Miratohet mocioni i mbrojtjes së Selimit kundër dëshmisë së dëshmitarit

Ka filluar në Gjykatën Speciale procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Trupi gjykues, në fillimin e seancës ka pranuar mocionin e paraqitur nga mbrojtja e Rexhep Selimit për kundërshtimin e dëshmisë së një dëshmitari lidhur me dy incidente të pretenduara, të cilat kanë ndodhur jashtë periudhës kohore të aktakuzës

.

“Mbrojtja e Selimit ka paraqitur mocion dhe kundërshton dëshminë e dëshmitarit për dy incidente të pretenduara që kanë ndodhur jashtë periudhës kohore të aktakuzës”, tha fillimisht gjykatësi Charles Smith.

“Ky informacion i dhënë është i paverifikueshëm. Trupi gjykues miraton mocionin e mbrojtjes së Selimit. Nuk lejohet ZPS-ja të bëjë pyetje për incidentet e përshkruara në paragrafet 3.16.23 të materialit. Sa i takon dëshmisë së dëshmitarit, duhet redaktuar referencat lidhur me këto sulme nga çdo material që synojnë të paraqesin si prova. Së fundmi, palët duhet t’i dorëzojnë versionet e redaktuara deri të hënën”, tha Smith.

Trupi gjykues ka vlerësuar se pranueshmëria e këtyre provave mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve.

“Pranueshmëria e këtyre provave mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve. Nuk lejohet ZPS-ja të bëjë pyetje për këto incidente”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Sot sikurse edhe javën e kaluar do të vazhdohet me procesin e paraqitjes së provave, përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve.

Gjatë javës së kaluar për tri ditë radhazi, ka folur dëshmitarja e parë në rastin Thaçi dhe të tjerët. Seancat e saja kanë qenë të mbyllura për publikun.

Në informimin javor të Dhomave të Specializuara u tha se të gjitha gjykimet janë publike por gjykatësit në disa raste vendosin të kryerjen një pjesë të seancës në privat me qëllim të mbrojtjes së identitetit të dëshmitarit.

“Vendimi për t’i kryer seancat në seancë private për të mbrojtur dëshmitarët shqyrtohet me kujdes nga gjykatësit, rast pas rasti. Gjykatësit sigurohen që të ketë balancë midis nevojës për mbrojtje të dëshmitarëve dhe të drejtave të të akuzuarve. Për shembull, edhe kur dëshmia e dëshmitarit nuk është publike, avokatët e të akuzuarve përsëri kanë të drejtën t’i bëjnë pyetje dëshmitarit nga ana e tyre”, tha zëdhënësi Michael Doyle.

Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec /IO

 

Asnjë koment

Comments are closed.