Mjekët nga Turqia së bashku me stafin e QKUK-së kryen 12 operacione kardiokirurgjike
Mjekët nga Turqia në bashkëpunim me stafin e mjekëve dhe infermierëve nga klinikat e QKUK-së, kanë kryer 12 operacione kardiokirurgjike tek fëmijë dhe 26 raste në sallën e kateterizimit në kuadër të Klinikës së Kardiologjisë.
Drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, gjatë ditës së sotme ka pritur ekspertët nga Turqia, të cilët i ka falënderuar për punën e shkëlqyer që kanë bërë dhe po bëjnë në trajtimin e fëmijëve kosovarë.
Gjatë takimit me mjekët dhe stafin tjetër nga Turqia, ata kanë shprehur kënaqësinë e tyre që patën mundësi t’i trajtojnë fëmijët nga Kosova, duke shprehur falënderimin edhe për stafin vendor të klinikave që janë treguar shumë bashkëpunues.
Një delegacion tjetër i mjekëve dhe ekspertëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet që në muajin shtator të vijë në Kosovë, për të operuar fëmijë të tjerë që kanë probleme me zemër.
Këto bashkëpunime po mundësohen në kuadër të planit që ka Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK për trajtim të fëmijëve dhe zhvillim të shërbimeve që lidhen me ofrimin sa më cilësor të shërbimeve për qytetarët.