“Moda” e parave false në Kosovë dominon në TikTok
Është duke vazhduar me të madhe qarkullimi i parave false në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë Policia e Kosovës raporton për raste të tilla.
Vetëm gjatë tremujorit të parë të vitit 2022, Policia ka iniciuar 208 raste të ‘falsifikimit të parave’. Kështu thonë nga PK në një përgjigje për Indeksonline.
Kurse gjatë tërë vitit 2021, në tërë territorin e vendit janë iniciuar 866 raste ‘falsifikim i parasë’.
“Ju informojmë se Falsifikimi i parave është vepër penale e sanksionuar në Kodin Penal të RKS-së. Policia i evidenton rastet bazuar në emërtimet e veprave sipas Kodit penal. Për vitin 2021, në tërë territorin e vendit janë iniciuar 866 raste ‘falsifikim i parasë’.
Ndërsa, gjatë tremujorit të parë të 2022, policia ka iniciuar 208 raste të ‘falsifikimit të parave’.
Inicimi dhe hetimi i rasteve bëhet nga Stacionet Policore përkatëse dhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Policia ka konfiskuar kartë-monedhat e falsifikuara dhe janë ndërmarrë veprimet tjera në koordinim me prokuroritë përkatëse“, bëhet e ditur nga Policia.
Edhe nëpër rrjete të ndryshme sociale, sidomos në TikTok po shiten para të falsifikuara.
Për këtë gjë, Policia e Kosovës ka informata dhe është duke trajtuar disa raste.
“Policia kurdoherë, në çfarëdo mënyre, kupton se është kryer, apo planifikohet të kryhet, një vepër penale, ndërmerr hapat e parapara ligjore. PK ka informata se në rrjete të ndryshme sociale ka publikime për shitjen e parasë së falsifikuar dhe lidhur me këtë është duke trajtuar disa raste“.