Mohojnë fajësinë të akuzuarit se kanë dhënë banesa pa kriter për shoqatat e dala nga lufta në Prizren
Të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, Reshat Mehmeti, Fidan Shala dhe Arben Rexhepi, janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të sotme, në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
Mohimin e fajësisë, ata e kanë bërë pas konsultave me mbrojtësit e tyre, avokatëve Esat Gutaj, Besim Koqinaj dhe Behar Avdylit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ata akuzohen se si persona përgjegjës, anëtarë të komisionit, i kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista dhe në bazë të tyre, tu jepet e drejta e përfitimit të shfrytëzimit të banesave pa e bërë fare verifikimin e tyre, kështu duke i privuar nga kjo e drejtë familjet skamnore, të cilat sipas akuzës, i kanë plotësuar këto kritere.
Seancën e radhës, gjykatësja Ajser Skenderi, e ka caktuar më 26 prill 2019, prej orës 9:30, ku sipas saj, deri në këtë kohë, të akuzuarit e kanë të drejtën që të paraqesin fakte dhe prova me të cilat do ta kundërshtonin akuzën.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ngritur më 28 Shkurt 2019, të akuzuarit Mehmeti, Shala dhe Rexhepi, ngarkohen se gjatë vitit 2013, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.
Organi i akuzës, ata i ngarkon se duke qenë pjesë e komisionit për vërtetimin e kushteve të banimit dhe përcaktimin e përfituesve të të drejtës së shfrytëzimit të banimit, të njëjtit nuk i përmbushin detyrat e tyre dhe me këtë rast, sipas akuzës, i kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista dhe në bazë të tyre, tu jepet e drejta e përfitimit të shfrytëzimit të banesave pa e bërë fare verifikimin sipas udhëzimit administrativ nr 21/2010.
Për ndërtimin e këtyre banesave kishte marr vendim Komuna e Prizrenit, e cila edhe i kishte caktuar anëtarët e komisionit.
Sipas aktit akuzues, duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit u kanë shkelur të drejtat familjeve skamnore të cilat i kanë plotësuar kriteret, por për shkak se familjet e rekomanduara nga shoqatat e dala nga lufta e kanë përfituar shfrytëzimin e këtyre banesave me automatizëm, familjet skamnore kanë qenë të privuar nga kjo mundësi, me këto veprime të pandehurit nuk i kanë përmbushur detyrat dhe obligimet e tyre.
Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par 1, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi