Mosmarrëveshje mes Duda Baljes e Emilija Rexhepit, përfshihet edhe Policia në Prizren
Më 11 korrik, në 26-vjetorin e gjenocidit të Serbisë në Srebrenicë, deputetja e komunitetit boshnjak në Kuvendin e Kosovës, Duda Balje, bashkë me bashkëpartiakët e saj, ka vendosur në Prizren, një pllakë përkujtimore për viktimat e masakrës së Srebrenicës. Por para se të vendosej kjo pllakë, pati mospajtime mes Baljes dhe zv/kryeministres Emilija Rexhepit. E kjo e fundit pati një polemikë edhe me kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Për të mësuar se si ndodhi ngjarja, Gazeta Sinjali ka kontaktuar Baljen dhe Rexhepin, të cilat kanë dhënë versionet e tyre për këtë rast.
Balje thotë se njerëzit e Emilijas e ftuan Policinë e Kosovës, pasi siç thotë ajo mendonin se nuk kishin leje për ta vendosur këtë pllakë.
“Unë nuk kam takuar atë ditë Emiljan personalisht. Njerëzit e saj kanë qenë atje dhe më kanë thënë që nëse nuk keni leje, nuk mund ta vendosni pllakën dhe më pas e kanë thirrë policinë. Na kemi pasur leje, unë s’jam budalla që me vendos pllaka pa leje. Kur Policia e njerëzit e saj e kanë parë që kemi leje, janë largu”, tha Balje për Sinjalin.
Por para se Policia e “njerëzit e Emilijas” të largohen, kjo e fundit kishte pasur një debat me kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskukën lidhur me vendin që ishte caktuar të vendosej kjo pllakë.
Madje Rexhepi e quan të jashtëligjshëm vendimin e Haskukës për dhënien e lejes që pllaka “Lulja e Kujtimeve” të vendoset në qendrën e Boshnjakëve.
“Me bë një statujë a pllakë, procedurat duhet të kalojnë nëpër shumë hallka, pra ka procedura përmes komunës, Kuvendit e shumë institucioneve. Pra duhet pëlqim nga të gjithë. A din, desh jom tranu kur i kom pa. Çka ka bë kryetari Haskuka është e jashtëligjshme. Por nuk mund të reagoj kur është çështja për Srebrenicë. As nuk ka pasur të bëjë kjo çëshjte me prishjen e koalicionit, nuk është morale e as humane. Unë nuk munda të reagoj atë ditë, në përvjetorin e Srebrenicës. Nuk kam bërë zhurmë atë ditë. Unë i kom thënë kryetarit kujdes, gjejeni një vend tjetër për atë pllakë përkujtimore. Kryetari më tha unë i kom dhënë leje, sepse i kam caktuar disa vende, por më mirë është aty në qendrën e boshnjakëve. Atëherë i thashë bëni çka të doni, unë nuk du me reagu”, tha Rexhepi për Sinjalin.
E sa i përket deklaratës së Baljes, se njerëzit e saj ia kanë ftuar Policinë, Rexhepi e akuzon atë duke thënë se “po do me qenë nëpër media palidhje, ajo do veç me bë zhurmë.”