Mot i vranët të enjten: Reshje intensive shiu, borë në disa zona
Kosova pritet të përfshihet nga kushte të këqija atmosferike të enjten, me reshje të dendura që fillimisht do të jenë shi, por që gradualisht do të kthehen në borë në disa zona të ulëta të vendit.
Sipas parashikimit të MeteoKosovës, dita e enjte do të jetë e vranët me reshje të vazhdueshme atmosferike që do të fillojnë në formë shiu në pjesën më të madhe të territorit.
Zonat malore do të jenë të parat që do të përjetojnë reshje në formë bore që në orët e para të ditës. Megjithatë, gjatë pasdites dhe mbrëmjes, reshjet pritet të shndërrohen në shqotë dhe borë edhe në disa zona të ulëta, veçanërisht në Rrafshin e Kosovës.
Intensiteti më i madh i reshjeve parashikohet të ndodhë gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës, me përqendrim të veçantë në zonat juglindore, lindore dhe verilindore të vendit.
MeteoKosova paralajmëron mundësinë e vërshimeve lokale si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, ndërsa në zonat ku do të ketë reshje bore pritet të formohen shtresa bore.

Qytetarët këshillohen të marrin masa paraprake për kushtet e këqija të motit, veçanërisht ata që udhëtojnë në zonat malore dhe rrugët që priten të preken nga reshjet e borës.