“Mourinho duhet të shpenzojë sa Manchester City, nëse do titullin”
“Manchester United duhet të shpenzojë sa Manchester City”, thotë Bryan Robson.
“Djajtë e Kuq” kanë vazhduar të investojnë shumë gjatë viteve të fundit, me paratë e mëdha që u dhanë për Paul Pogba, Victor Lindelof, Eric Bailly, Nemanja Matic, Romelu Lukaku dhe Fred.
Jose Mourinho, megjithatë, pretendon se është dorëzuar një projekt rindërtimi në “Old Trafford”, me më shumë fytyra të reja të kërkuara prej tij, për të kapërcyer hendekun e krijuar me rivalët në Premier League.
Robson pajtohet me këtë vlerësim. Legjenda e Manchester United pranon se duhet të ketë më shumë cilësi në skuadër, në qoftë se synohet rivaliteti me “qytetarët” e Pep Guardiolës. Ai i tha “Daily Mail”: “Manchester United duhet ta përmirësojë me të vërtetë procesin e rekrutimit të lojtarëve. E kam fjalën për shtimin e cilësisë.
Ndonëse hendeku me Manchester City duket i madh, unë ende besoj se dy, ose tri blerje të shkëlqyera, do të na bëjnë konkurrues. Gjatë kohës sime në menaxhim është vërtetuar gjithmonë që, nëse blini lojtarë mesatarë, përfundoni me një ekip mesatar.
Klubi ende mund të tërheqë lojtarë cilësorë, ndaj duhet të përputhet me shpenzimet e Manchester City. Vetëm kështu i jepet Mourinhos një shans më i mirë. Klubi duhet ta lejojë trajnerin të identifikojë se cilët lojtarë dëshiron dhe pastaj të dalë e t’i marrë ato. Mbas këtij hapi është në dorë të Jose për të na paraqitur një skuadër të denjë për titullin. Unë ende besoj se Mourinho është njeriu, i cili mund të na udhëheqë përpara”./rtklive