23-11-2024

MPB furnizohet me targa të automjeteve, kontrata zbatohet nga java e ardhshme

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) i ka hapur rrugë furnizimit me targa të automjetesh për Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), pasi në një vendim të marrë të enjten ka hedhur poshtë ankesën e një firme kundër tenderit të dhënë nga MPB disa javë më parë.

MPB, në një njoftim për furnizim emergjent me targa të automjeteve të publikuar disa javë më parë, shpërbleu me kontratë grupin e operatorëve: “G.S.G SH.P.K.; KIG d.d.; KIG KGA d.o.o”, shkruan Insajderi.

Por, shkaku i ankesave në gjykatën e tenderëve, kërkesa e MPB-së për t’u furnizuar urgjent me targa të automjeteve u pezullua deri në vendimin e OShP-së. Kjo u ka shkaktuar telashe edhe qytetarëve që kanë doganuar vetura gjatë muajit nëntor.

Një qytetar i ka thënë Insajderit se për më shumë se një javë e ka veturën në Doganë për shkak të mungesës së targave.

Me vendimin e OShP-së për t’i hapur rrugë zbatimit të kontratës për furnizim me targa automjetesh, ky problem do të marrë fund nga fillimi i javës së ardhshme.

Kjo kontratë parasheh furnizimin e MPB-së me 31 mijë targa të zakonshme me RKS “me dimension 520 x 110 milimetra” dhe 7 mijë targa të tjera të zakonshme me regjistrim KS “me dimension 520 x110 milimetra”.

Asnjë koment

Comments are closed.