MPB-ja paguan shtesa për policët e suspenduar, mbi 55 mijë euro dëm në buxhet
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur shumë parregullsi në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), përfshirë pagesa të jashtëligjshme dhe emërime në kundërshtim me rregulloret.
Sipas raportit , MPB ka ndarë shtesa për kushte specifike të punës edhe për 65 zyrtarë policorë të suspenduar, të cilët nuk ishin aktivë në detyrë dhe si rrjedhojë nuk ishin të ekspozuar ndaj ndonjë rreziku.
Shuma totale e paguar për ta kap vlerën 55,550 euro. Kjo bie ndesh me nenin 6 të Rregullores për të Punësuarit në Sektorin Publik, i cili parasheh që kjo shtesë mund të jepet vetëm për zyrtarët që janë të angazhuar në kushte pune me rrezikshmëri të shtuar.
Zyrtarët e MPB-së e kanë arsyetuar këtë gabim me vonesat në përpilimin e listave të përfituesve, por Auditori vë në pah se gjatë tërë vitit nuk është ndërmarrë asnjë veprim për të ndalur pagesat apo për të rishikuar përfitimet.
341 policë në pozita pa gradën e kërkuar
Një tjetër gjetje e evidentuar nga auditori është se 341 zyrtarë policorë mbajnë pozita për të cilat nuk e kanë gradën e kërkuar, duke shënuar një rritje prej 156 rasteve krahasuar me vitin 2023.
Në shkurt 2024, Policia e Kosovës kishte shpallur konkurs për avancim në pozitën e rreshterit, por procesi u anulua me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, për shkak të mospërputhjes së procedurave me legjislacionin.
Sipas Auditorit, këto parregullsi ndikojnë drejtpërdrejt në nivelin profesional të stafit dhe cenojnë funksionimin efektiv të Policisë së Kosovës.
Auditori ka evidentuar edhe vonesa në zbatimin e projekteve kapitale.