25-11-2024

MPB serbe pretendon se është arrestuar një kosovar në Merdarë për krime lufte

Autoritetet serbe njoftuan të shtunën se e kanë arrestuar një kosovar në pikën kufitare që lidh Serbinë me Kosovën, nën dyshimin për “krime lufte”.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë (MPB), Ivica Daçiq, tha se Tefik Mustafa u arrestua pasditën e 1 qershorit në Merdarë për “krime lufte kundër civilëve në Kosovë”.

Në një komunikatë për media, MPB-ja serbe theksoi se Mustafa, “si pjesëtar i UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], në deklaratat e dëshmitarëve përmendej si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviq, më 19 qershor 1999 në rrugën Prishtinë – Gjilan, të cilëve u humbën të gjitha gjurmët”.

“Personi do të dorëzohet në Prokurorinë për Krime Lufte”, tha Daçiq, sipas komunikatës.

Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë 1998-99.

Më 17 prill, autoritetet serbe e arrestuan shtetasin kosovar Sadik Duraku, i cili ka nënshtetësi britanike gjithashtu, nën dyshimet “për krime lufte” më 1999 – akuza që u hodhën poshtë nga familjarët e tij.

Ai u arrestua në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe i caktoi masën e paraburgimit po atë muaj.

Në fillim të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për, siç i cilësoi ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës./rel/

Asnjë koment

Comments are closed.