MPJD-ja reagon pas arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së: Bashkësia ndërkombëtare ta rrisë presionin ndaj Serbisë
Ish-pjesëtari i UÇK-së, Avni Qenaj, është arrestuar sot në Serbi.
Qenaj, rreth 53 vjeçar, nga fshati Romajë i Prizrenit, ka qenë pjesë e Brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila ka njoftuar se menjëherë pas marrjes së informatave për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë ndërmarrë hapat për konfirmimin e informacionit dhe më pas janë kontaktuar shtetet e QUINT-it.
MPJD-ja ka njoftuar se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka informuar Delegacionin e BE-së në Serbi dhe po ashtu i ka dërguar notë verbale misioneve diplomatike të QUINT-it të akredituara në Serbi.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi e ka njoftuar për rastin edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, duke kërkuar monitorim të shtuar dhe transparencë të plotë nga autoritetet serbe në lidhje me procedurat e ndërmarra. Gjithashtu është dërguar tashmë notë verbale te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës. Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës të personit të arrestuar, sapo të konfirmohet lokacioni i saktë ku ai po mbahet”, ka njoftuar MPJD-ja përmes një postimi në Facebook.
MPJD ka theksuar se është e angazhuar për ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit dhe i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve të Serbisë.

“Edhe njëherë, MPJD i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe intimidimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, ka deklaruar MPJD.

