21-07-2025

MPJD: Kujdes me dokumentet e skaduara gjatë kalimeve nëpër shtete të tjera

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar të gjithë bashkatdhetarët që planifikojnë udhëtime drejt Kosovës përmes rrugëve tokësore, që të kenë kujdes me dokumentet e udhëtimit gjatë kalimit nëpër shtetet tranzite.

Sipas MPJD-së, disa shtete kërkojnë dokumente të vlefshme udhëtimi pa përjashtim dhe nuk e lejojnë kalimin me dokumente të skaduara, pavarësisht rregullave që mund të zbatohen në vendin e nisjes.

“ME RËNDËSI: Disa shtete gjatë tranzitit kërkojnë dokumente të vlefshme udhëtimi, pa përjashtim. Udhëtimi me dokumente të skaduara nuk lejohet nëpër territoret e këtyre shteteve, pavarësisht nga praktikat e vendit ku nis udhëtimi,” thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Duke iu referuar rasteve të raportuara kohët e fundit, Ministria thekson se pengesa të tilla janë paraqitur sidomos gjatë kalimeve nëpër territorin e Italisë, ndaj qytetarët duhet të verifikojnë paraprakisht kërkesat për dokumentacion në çdo shtet ku parashohin të kalojnë.

MPJD u bën thirrje qytetarëve që të planifikojnë udhëtimet me kujdes dhe të informohen për kushtet e kalimit nëpër secilin shtet të tranzitit. Në rast pasigurie, qytetarët ftohen të kontaktojnë misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës për udhëzime shtesë.

Asnjë koment

Comments are closed.