MPJD reagon pas caktimit të masës së paraburgimit për Avni Qenaj: I është ushtruar presion psikologjik
Javën e kaluar, Avni Qenaj, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u ndalua nga policia serbe gjatë kalimit të pikëkalimit kufitar në Merdarë.
Të njëtit vetëm disa ditë pas iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh, gjë që ngjalli reagime.
Ministria e Punëve të Jashtme, ka reaguar pas caktimit të masës së paraburgimit prej 30 ditësh në Beograd, ndaj shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj, njëherësh veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, MPJD-ja thotë se ky veprim përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht.
Pos tjerash, kjo ministri thotë se përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi, do të vazhdojë monitorimin e afërt të këtij rasti dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme diplomatike për të mbrojtur të drejtat e Qenajt dhe për të kundërshtuar këto akuza të pambështetura dhe me motiv politik.

Në kuadër të këtij angazhimi, ministria bën të ditur se ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, dje ka vizituar Qenajn në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, ku i ka ofruar mbështetjen e plotë institucionale, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet e drejtësisë.
“Z. Qenaj ka deklaruar se gjatë qëndrimit në arrest policor i është ushtruar presion psikologjik, por pa keqtrajtim fizik, dhe se as aktualisht nuk ka keqtrajtime nga autoritetet e paraburgimit. Ai ka bërë të ditur se ende nuk është vizituar nga familjarët, por pret vizitën e tyre në ditët në vijim. Familjarët e tij kanë angazhuar katër avokatë mbrojtës për përfaqësimin e tij ligjor”, thuhet në njoftim.
Avni Qenaj është arrestuar më 26 nëntor 2025 në pikëkalimin kufitar Merdarë, gjatë transitit drejt Bosnjë dhe Hercegovinës, ku familja e tij ka një biznes familjar. Pas arrestimit, ai është mbajtur për 48 orë në Prokuplje dhe më pas është transferuar në Beograd.
Më 28 nëntor, ai ka dalë para gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë për Krime të Luftës të Beogradit, ku është njoftuar se Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit ka iniciuar procedurë penale kundër tij dhe i është shqiptuar masa e paraburgimit.

